Pas thirrjes së Kryeministrit Edi Rama për një riformatim të strukturave drejtuese në nivel vendor, kanë nisur dorëheqjet dhe shkarkimet e administratorëve të njësive administrative dhe disa nënkryetarëve të bashkive në të gjithë Shqipërinë.
Burime bëjnë me dije se në qarkun e Korçës, të gjithë administratorët e njësive administrative kanë paraqitur dorëheqjen. Ndërkohë, në qarkun e Kolonjës, administratorët janë shkarkuar nga detyra.
Ndryshime të tilla janë konfirmuar edhe në qarkun e Elbasanit, ku burime nga Euronews Albania raportojnë se administratorët e njësive administrative dhe nënkryetarët e Bashkisë Elbasan dhe Librazhd kanë dhënë dorëheqjen ditën e sotme.
Këto lëvizje vijnë si rezultat i procesit të nisur pas deklaratës së kryeministrit, i cili kërkoi largimin e të gjithë administratorëve vendorë dhe nënkryetarëve që nuk kishin arritur të jepnin rezultatet e pritshme në shërbim të qytetarëve. Rama gjatë një takimi me krerët e bashkive dhe drejtues të Partisë Socialiste theksoi nevojën për një qasje të re në administrimin vendor, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të atyre që, sipas tij, ishin bërë “pengesë për ndryshimin”.
Nga ana tjetër, në disa bashki të tjera të juglindjes së vendit, si Pogradec, Maliq dhe Devoll, një proces i tillë nuk ka ndodhur ende. Kryebashkiakët e Pogradecit, Sotiraq Filo, dhe të Maliqit, Erion Isai, të kontaktuar nga telefoni, kanë deklaruar se nuk do të ketë largime të nënkryetarëve në bashkitë e tyre përkatëse. Deri tani, përveç atyre në Elbasan dhe Librazhd, asnjë zëvendëskryetar tjetër në juglindje nuk është shkarkuar apo nuk ka paraqitur dorëheqjen.