Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me dyer të mbyllura me nënkryetarët e bashkisë së Tiranës, drejtuesit politikë të qarqeve, drejtorët e bashkisë së kryeqytetit dhe të gjithë kandidatët e qarkut të Tiranës.
Burime bëjnë të ditur se një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë situata politike aktuale dhe mundësia e zgjedhjeve të parakohshme në disa bashki të vendit. Kryeministri Rama, megjithatë, nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar në lidhje me fatin e Bashkisë së Tiranës, e cila ndodhet pa kryebashkiak që prej arrestimit të Erion Veliajt më 10 shkurt.
Në takimin e mbyllur, Rama ka lënë të kuptohet se çështja e zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë nuk është prioritare për momentin. Sipas burimeve, ai ka deklaruar se “nuk i dihet nëse do kemi zgjedhje të parakohshme në Tiranë tani apo pas dy vitesh”, duke shtuar më pas se “ky proces për Bashkinë Tiranë do të zhvillohet në një moment tjetër”. Kjo sugjeron se qeveria nuk po nxiton me një vendim për kryeqytetin.
Një tjetër fokus i rëndësishëm i takimit ka qenë kërkesa e Ramës drejtuar drejtuesve politikë dhe dy deputetëve të caktuar, për të ngritur grupe pune me qëllim rifreskimin e burimeve njerëzore në të gjitha bashkitë e vendit. Kjo kërkesë sugjeron një lëvizje të mundshme për ndryshime në administratën lokale dhe një vlerësim të performancës së drejtuesve aktualë, ndërsa duket se Tirana do të presë për një moment tjetër përsa i përket ndryshimeve në krye të bashkisë.