Në vend që të prodhojë ide për zhvillimin e vendit, plane afatgjata ekonomike apo reforma konkrete në bujqësi, turizëm dhe mirëqenie sociale, Edi Rama ka zgjedhur sërish rrugën e trazirave të orkestruara, një teknikë e njohur për të shmangur vëmendjen nga problemet reale dhe për të ruajtur pushtetin personal, duke ndjekur shembullin e idhullit të tij politik, Rexhep Taip Erdogan.
Në vend të një qeverisjeje normale, me institucione funksionale dhe vendimmarrje kolegjiale, Rama ka kthyer politikën shqiptare në një spektakël të një aktori të vetëm, ku gjithçka ndodh nën dritat e kamerave, dhe gjithçka tjetër — institucionet, ministrat, bashkitë — reduktohen në figurantë pa zë.
Furtuna që ka nisur në javët e fundit, që nga shpërthimet e kontrolluara në bashkitë kryesore të vendit, tek aksionet e vonuara për zaptimin e trotuareve, apo ndërtimet pa leje në Theth, nuk është një reagim spontan apo institucional ndaj një problematike që po kërkon zgjidhje. Është, përkundrazi, një krizë artificiale, e krijuar nga lart, në mënyrë të qëllimshme, për të përforcuar narrativën e liderit që “shpëton gjithçka vetë”.
Sepse po të ishte një reagim real, problemet e tillë do të ishin trajtuar shumë më herët dhe në mënyrë normale. Ndërtimet në zonat e mbrojtura nuk nisën dje, dhe zaptimet e hapësirave publike janë të pranishme prej vitesh në çdo qytet të Shqipërisë. Por qeveria nuk veproi. Sepse qëllimi nuk ishte rregullimi, por përdorimi i këtyre çështjeve kur i duhet më shumë — në momentet kur SPAK afrohet me dosjet e “të fortëve” të pushtetit.
Trazira si spektakël, jo si reformë
Kjo është metoda e Ramës: të krijojë një tension të qëllimshëm, të shfaqet si zgjidhës suprem dhe të përforcojë idenë se pa të, sistemi shembet. Një mentalitet autokratik, i zhveshur nga përulësia demokratike dhe i ndikuar thellësisht nga modeli turk i Erdoganit: pushteti nuk ndahet, ai ushtrohet i vetëm, dhe çdo kritikë është komplot.
Ai nuk është një njeri që vepron i papërgatitur. Çdo lëvizje, çdo dalje publike, çdo krizë është e parashikuar dhe e ndërtuar në tavolinë me këshilltarët e tij më besnikë. Por nuk është zhvillimi ekonomik, nuk është politika e jashtme apo shteti social që ka prioritet. Objektivi i vetëm është: mbijetesa politike dhe forca personale.
Qeveri e re në kapelën e magjistarit
Ndërsa vendi pret një qeveri të re të mandatit të katërt, Rama vazhdon ta mbajë pezull publikun, sikur do të nxjerrë nga kapelja një “surprizë vere”. Por nuk është as kapelë dhe as magji. Është thjesht një strategji për të shmangur transparencën dhe për të vonuar përballjen me realitetin.
Zërat thonë se ai mund ta shtyjë shpalljen e kabinetit të ri deri në vjeshtë. Sepse sa më gjatë të zgjasë furtuna artificiale, aq më pak flitet për SPAK, për dosje, për përgjegjësi.
Në një shtet funksional, diskutimet për bujqësinë, për financat publike, për arsimin, zhvillohen në tryeza me ekspertë, me afate të matshme dhe me rezultate konkrete. Por në Shqipërinë e Ramës, gjithçka zhvillohet në formën e një monologu të gjatë, të ngjashëm me një stand-up, ku kryeministri është edhe aktor, edhe regjisor, edhe komentator.
Osmani modern dhe Shqipëria e rraskapitur
Mënyra sesi Rama e trajton shtetin i ngjan shumë një mutesarifi osman, një sundues krahinor i dërguar për të mbledhur taksa dhe për të ruajtur rendin, jo për të ndërtuar shtet. Për të, përmbajtja është më pak e rëndësishme sesa pamja, dhe stabiliteti i pushtetit është më i shenjtë se çdo reformë.
Trazirat që po prodhon janë një perde tymi për të fshehur mungesën e rezultateve, për të zëvendësuar lajmet e pakëndshme me spektakël politik.
Në vend të “sagës së Osmanit” që dominoi televizionet sezonin e kaluar, këtë verë, shqiptarët po ndjekin telenovelën e radhës të Edi Ramës, ku protagonisti është gjithmonë i njëjti: ai vetë.
Sepse kur nuk ke çfarë të ofrosh, frenimi i krizës së sajuar bëhet suksesi i vetëm që mund të tregosh.