Sistemi shëndetësor në Shqipëri vijon të përballet me mungesa të theksuara të medikamenteve jetësore në spitale, duke vënë në rrezik serioz jetën e qytetarëve. Ky problem, i theksuar nga shkurtimet e fondeve për shëndetësinë në favor të infrastrukturës dhe alokimet e konsiderueshme të fondeve për klientë të qeverisë, është ilustruar tragjikisht nga rasti i dy ditëve më parë në Përmet.
Lediana A., 26 vjeçare, u bë pre e një pickimi helmues nga një gjarpër dhe për pak sa nuk humbi këmbën për shkak të mungesës së kundërhelmit në spitalin e Përmetit. Vajza u dërgua fillimisht në spitalin e Përmetit, por për shkak të mungesës së antidotit, ajo u transportua me urgjencë në spitalin e Gjirokastrës, ku shpresohej se do të gjendej kundërhelmi i nevojshëm.
Megjithatë, situata u kthye në një skandal kur u konstatua se antidoti mungonte edhe në spitalin e Gjirokastrës. Për pasojë, 26-vjeçarja u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku më në fund iu injektua ilaçi kundërhelm. Sipas informacioneve të fundit, falë ndërhyrjes së shpejtë në Tiranë, Ledianës iu shpëtua këmba, e cila rrezikonte të amputohej pasi helmi i gjarprit kishte depërtuar thellë deri në rrëzën e kofshës.
Rasti i Lediana A. është vetëm një shembull i prekshëm i pasojave të mungesës së medikamenteve jetësore në spitalet e vendit. Ky incident thekson nevojën urgjente për një vëmendje më të madhe ndaj sistemit shëndetësor dhe sigurimin e fondeve të mjaftueshme për të garantuar disponueshmërinë e medikamenteve thelbësore për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.