Një ngjarje e tmerrshme ka tronditur jo vetëm Egjiptin, por mbarë opinionin publik ndërkombëtar: një vajzë 15-vjeçare akuzohet se ka vrarë të atin, duke i vënë zjarr qëllimisht shtëpisë së tyre në zonën Atfih, në jug të qytetit të Gizës. E mitura dyshohet se ka shkaktuar një shpërthim të qëllimshëm me gaz, duke çuar në vdekjen tragjike të të atit 36-vjeçar.
Sipas hetimeve paraprake, vajza kishte përfituar nga momenti kur nëna ndodhej jashtë shtëpisë, për të hapur valvulën e gazit në kuzhinë. Avulli i ndezshëm ishte përhapur në të gjithë banesën, dhe në momentin kur babai, i vetëm në shtëpi, ndezi një cigare – ndodhi shpërthimi fatal. Banesa u përfshi nga flakët, ndërsa viktima u dërgua me urgjencë në spital me djegie të rënda në pjesën më të madhe të trupit, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.
Ajo që e bën edhe më tronditëse këtë ngjarje, është dëshmia e vajzës përpara hetuesve, e cila ka rrëfyer një fëmijëri të mbushur me dhunë, frikë dhe dhimbje. Ajo e përshkruan të atin si një njeri të dhunshëm, të varur nga alkooli dhe droga, që përdorte çdo para për veset e tij dhe ushtronte dhunë të përsëritur mbi nënën dhe mbi të, shpesh edhe në prani të saj.
“Ai nuk punonte kurrë, nuk sillte asgjë në shtëpi. Pinonte çdo ditë, pastaj dhunonte mamanë time. E kam parë me sy të nxirë, e përulur. Përpiqesha ta ndaloja, por më godiste edhe mua. Nuk duroja më të shihja mamanë duke u rrahur. Ndihesha e pafuqishme, por atë ditë… vendosa që mjaft ishte mjaft,” – ka thënë e mitura, mes lotësh, sipas burimeve policore.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se konfliktet brenda familjes ishin të shpeshta, dhe fqinjët kishin bërë më herët disa ankesa për dhunë në familje, por autoritetet nuk kishin ndërhyrë asnjëherë seriozisht. Një shtet që dëgjon vetëm kur gjithçka ka marrë fund.
Aktualisht, vajza ndodhet në paraburgim dhe nën mbikëqyrje psikologjike. Autoritetet egjiptiane janë përballë një dileme të madhe: a duhet trajtuar ajo si autore e një krimi të rëndë – apo si viktimë e një realiteti të pashpirt, ku shteti mungon dhe familja shndërrohet në ferr?
Sepse përtej shpërthimit fizik, çfarë ka ndodhur ishte një shpërthim i një dhimbjeje të akumuluar prej vitesh – një britmë e dëshpëruar nga një vajzë që duhej të ishte në shkollë, por u detyrua të bëhej mbrojtësja e vetme e nënës. Një ngjarje që mori jetë – por që më në fund zbuloi dramën e heshtur të mijëra vajzave dhe grave të bllokuara në ferrin e dhunës brenda mureve të shtëpisë.
Dhe nëse drejtësia nuk sheh më larg se ligji shkruar, rrezikon të ndëshkojë pikërisht atë që duhej të ishte mbrojtur që në fillim.