Një skenë makabre dhe e pabesueshme ka tronditur mëngjesin e së martës aeroportin Milan Bergamo, ku një burrë humbi jetën në mënyrë tragjike pasi u hodh në motorin e një avioni në nisje.
Viktima është identifikuar si Andrea Russo, 35 vjeç, banues në Calcinate, një qytet pranë Bergamos. Ai nuk ishte as pasagjer i linjës, as punonjës i aeroportit. Ngjarja ka ndodhur brenda pak minutash, por ka lënë pas një shok të thellë mes stafit dhe udhëtarëve të pranishëm.
Russo mbërriti në aeroport me një Fiat 500 të kuqe, të cilën e braktisi pranë hyrjes. Pa pasur biletë, ai hyri në terminal, shmangu sigurinë dhe me shpejtësi u drejtua për nga daljet e sigurisë që të çojnë në pistë.
Policia Kufitare tentoi ta ndalonte, por ai u shkëput nga dy efektivët që i dolën përpara dhe, me një vendosmëri të pazakontë, u drejtua me vrap drejt një avioni të kompanisë Volotea, model Airbus A319, që po përgatitej për të ngritur fluturim drejt Asturias, Spanjë.
Pamjet e sigurisë, që nuk janë bërë publike për shkak të përmbajtjes së rëndë, tregojnë se ai fillimisht u afrua te motori i djathtë i avionit, ku tentoi të hidhej, por ra përtokë. Pas një çasti, u ngrit sërish, bëri një kthesë rreth avionit dhe – para syve të shtangur të stafit të aeroportit – u hodh me vrap drejt motorit të majtë, duke u futur brenda pjesës së përparme të turbinës, në një akt të hapur vetëflijimi.
Vdekja e tij ka qenë e menjëhershme. Skena ka qenë aq traumatike, sa një pjesë e stafit ka reaguar duke mbuluar fytyrën me duar, të paaftë të ndalojnë aktin fatal.
Autoritetet italiane kanë nisur menjëherë hetimet, për të zbardhur se si Russo ka arritur të hyjë në një zonë të ndaluar të sigurisë dhe pse nuk u ndalua në kohë. Deri më tani, pista kryesore që po hetohet është vetëvrasja, ndonëse ende nuk është përjashtuar asnjë motiv tjetër.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në aeroportet italiane, dhe pritet që të shoqërohet me një valë rishikimesh të protokolleve të aksesit në pistat e fluturimit.
more clear version, you can see him jumping into the engine pic.twitter.com/FsXhmGfa2Z
— Untitled ❗️ (@UntitledSpice) July 11, 2025