Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në fshatin Nabërgjan, komuna e Pejës, ka rezultuar fatal për një nga pasagjerët, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, aksidenti ndodhi rreth orës 12:55 të mërkurën, kur një automjet i tipit Peugeot, i drejtuar nga një person i dyshuar, gjatë tentativës për një parakalim të gabuar, ka kaluar në korsinë e kundërt të rrugës dhe është përplasur frontal me një automjet tjetër që po vinte në drejtim të kundërt.
Njësitë kompetente të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur një situatë të rënduar. Ekipi mjekësor konstatoi vdekjen e njërit prej pasagjerëve në vendin e aksidentit.
Katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore dhe janë dërguar fillimisht për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës. Njëri prej të plagosurve, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për trajtim të specializuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi, ndërsa drejtuesi i automjetit Peugeot, i dyshuar si shkaktar i aksidentit, është ndaluar nga policia për 48 orë, në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Autoritetet po vazhdojnë punën për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë ngjarje tragjike, ndërsa rasti po trajtohet si shkaktim i aksidentit me pasojë vdekjen.