Skip to content

Me Video – Ekzekutim në mes të ditës, vritet me silenciator zyrtari i lartë

Një kolonel i lartë i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) është vrarë në mes të ditës në një atentat të mirëorganizuar, të ndodhur në një parking publik në lagjen Holosiivskyi të kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur përpara syve të banorëve, ndërsa autori i armatosur është larguar në këmbë dhe ndodhet ende në kërkim nga autoritetet.

Policia e Kievit dhe vetë SBU-ja kanë konfirmuar lajmin dhe nisjen e hetimeve për vrasjen. Pamjet filmike të siguruara nga agjencia Reuters tregojnë momentin e atentatit, ku agresori përdor një armë me silenciator, duke qëlluar disa herë në drejtim të viktimës.

Koloneli i ndjerë – emri i të cilit nuk është bërë ende publik – ishte pjesë e njësisë së operacioneve speciale të SBU-së, me një profil të lartë dhe përfshirje të drejtpërdrejtë në misione të ndjeshme që prej fillimit të pushtimit rus në vitin 2022. Sipas deklaratës së SBU-së, ai konsiderohej një “punonjës i shquar”, që kishte dhënë kontribut të çmuar në luftën kundër aktiviteteve të inteligjencës ruse.

“Ka qenë një profesionist i rrallë dhe pjesë e operacioneve më të ndërlikuara të viteve të fundit. Vrasja e tij është një humbje e rëndë për shërbimin dhe për shtetin,” thuhet në reagimin zyrtar të SBU-së.

Ngjarja ndodh vetëm pak muaj pasi u zbuluan detaje për operacionet e koduara të SBU-së kundër objektivave strategjikë rusë, përfshirë misionin “Rrjeti i merimangës”, i cili përmes sulmeve me dronë ka shkatërruar avionë strategjikë rusë brenda territorit të Rusisë, si dhe ekzekutimin e një gjenerali rus në Moskë, nëpërmjet një bombe të fshehur në një skuter elektrik.

Këto zhvillime kanë shtuar spekulimet se atentati mund të ketë qenë një hakmarrje e organizuar nga shërbimet ruse të inteligjencës. Burime ndërkombëtare të afërta me qarqet perëndimore nuk e përjashtojnë këtë pistë, ndërsa disa zëdhënës jozyrtarë të Kremlinit kanë shfaqur publikisht “kënaqësi” për eliminimin e oficerit ukrainas, duke e quajtur atentatin “një sinjal të qartë për kundërshtarët”.

Autoritetet ukrainase, megjithatë, nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar mbi autorësinë e krimit. Profesionalizmi i sulmit, si dhe fakti që viktima ishte një kolonel aktiv në shërbimet speciale, kanë ngjallur dyshime serioze për një atentat të motivuar politikisht dhe të realizuar nga një grup i trajnuar mirë.

Në Kiev janë shtuar masat e sigurisë, ndërsa pritet një reagim i posaçëm nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy dhe strukturat më të larta të sigurisë së shtetit. Hetimet janë në vijim dhe autoritetet kanë deklaruar angazhim maksimal për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Published inLajme