Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, aktualisht i ndodhur në paraburgimin e Durrësit, ka qenë në qendër të një fushate të organizuar nga studiot e tij ligjore, mbështetës të tij në SHBA dhe Britani, si edhe disa media që prej vitesh kanë përfituar nga fondet publike dhe janë akuzuar për lidhje me korrupsionin.
Këto media e kanë artikuluar në mënyrë të përsëritur se Veliaj po mbahet në burg “pa akuza”, duke përhapur një narrativë të manipuluar për të ndikuar opinionin publik.
Fillimisht, kjo e ashtuquajtur mbrojtje nisi duke relativizuar hetimet e SPAK-ut si një çështje e lidhur thjesht me bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxën.
U tentua të paraqitej si një histori banale që s’mund të justifikonte arrestimin e tij: një blerje banese, vlera e së cilës u ul artificialisht në deklarime, ndërkohë që po manipulohej opinioni me komente të pavërteta për jetën private të çiftit. 
