Skip to content

WizzAir ‘mban peng’ shqiptarët, prej 2 orësh të bllokuar në avion (VIDEO)

Dhjetëra pasagjerë shqiptarë që udhëtonin nga Genoa drejt Tiranës me linjën ajrore Wizz Air janë bllokuar për orë të tëra brenda avionit për shkak të problemeve teknike të mjetit fluturues. Incidenti ka shkaktuar panik dhe ankth në mesin e udhëtarëve, të cilët ankohen për mungesë informacioni nga stafi i linjës ajrore.

Sipas dëshmive të pasagjerëve, fluturimi ishte planifikuar të nisej në orën 13:00. Megjithatë, pas dy tentativave të dështuara për t’u ngritur në fluturim, avioni është rikthyer në pistë. Udhëtarët janë mbajtur në avion dhe nuk janë lejuar të zbresin, duke u ndjerë të izoluar dhe të shqetësuar.

Një pasagjere e kontaktuar nga mediat ka shprehur shqetësimin për situatën: “Jemi këtu me fëmijë të vegjël, me persona me aftësi ndryshe. Askush nuk na jep informacion. Vetëm na mbajnë brenda avionit dhe nuk na lejojnë të zbresim. Jemi në panik”.

Teksa orët kanë kaluar, situata është përkeqësuar. Disa pasagjerë kanë raportuar se janë ndjerë keq dhe madje kanë humbur ndjenjat për shkak të stresit dhe mungesës së informacionit të qartë nga Wizz Air. Përkundër kësaj, kompania ajrore nuk ka lejuar daljen e pasagjerëve nga avioni dhe nuk ka ofruar ndihmë mjekësore apo ndihmë tjetër logjistike për ta.

Kjo ngjarje ka shkaktuar zemërim dhe frustrim të madh në mesin e pasagjerëve të bllokuar, të cilët kërkojnë një shpjegim të menjëhershëm dhe një zgjidhje për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt Tiranës.

Published inShowbizz