Skip to content

Gati ligji i ri – “Do bëni tre vite burg nëse parkoni keq”!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka bërë të ditur sot një ndryshim të rëndësishëm në trajtimin e parkimit të dyfishtë të automjeteve në rrugët e vendit. Sipas njoftimit të tij, kjo praktikë tashmë nuk do të konsiderohet thjesht si një shkelje administrative, por do të trajtohet si një vepër penale.

Proda, gjatë një deklarate për mediat, shpjegoi se parkimi i dyfishtë do të shihet si një bllokim i kalimit të mjeteve, i cili cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm. Ai theksoi se drejtuesit e automjeteve që kapen duke kryer këtë shkelje do të ndiqen penalisht në bazë të nenit 293 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në tre vjet për vënien e pengesave dhe ndalimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.

“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një ‘shkelje e lehtë’ thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht,” – u shpreh Proda.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shtoi se qyteti është në radhë të parë për këmbësorët dhe se rrugët janë për qarkullim, jo për parkim në mes. Ai gjithashtu paralajmëroi se shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave policore do të jenë personalisht përgjegjës për rastet e ndërtimeve pa leje, zaptimeve të pronave, bllokimeve të rrugëve, kthimit të hapësirave publike në parkingje private dhe çdo abuzimi me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura.

Published inLajme