Skip to content

U rrembye, u vra dhe u hodh në liqen, dalin detajet e renda te vrasjes se 23-vjeçarit nga Mati

Gazetari i Vizion Plus, Dritan Kurti, ka siguruar foton e viktimës dhe raporton nga vendngjarja mbi zhvillimet më të fundit që kanë tronditur opinionin publik.

Sipas burimeve zyrtare, alarmi është dhënë nga babai i Renis Dobrës, i cili ka denoncuar zhdukjen e të birit pranë Komisariatit të Policisë Mat. Menjëherë pas denoncimit, strukturat policore kanë nisur kërkimet. Përmes analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë në Burrel, është identifikuar automjeti që drejtonte 23-vjeçari. Pamjet filmike tregojnë se ai është ndjekur nga një tjetër automjet në aksin Burrel–Skuraj, duke ngritur dyshime të forta për një rrëmbim që ka përfunduar në mënyrë fatale.

Hetimet çuan më tej në zbulimin e gjurmëve të një automjeti në një terren të pjerrët pranë liqenit të Shkopetit. Pikërisht aty, në një zonë të thepisur dhe të vështirë për t’u aksesuar, u zbulua trupi i pajetë i të riut. Për shkak të vështirësive të terrenit, u desh ndërhyrja me mjet lundrues për nxjerrjen e trupit nga uji.

Ekspertiza paraprake e grupit hetimor tregon një skenar të tmerrshëm: Renis Dobra dyshohet të jetë dhunuar barbarisht, mbytur me litar dhe më pas hedhur bashkë me makinën në afërsi të liqenit, në përpjekje për të zhdukur çdo gjurmë.

Ende nuk është bërë e ditur nëse autorët e dyshuar janë identifikuar, por policia është vënë në ndjekje të disa pistave të mundshme, përfshirë motivet personale, hakmarrjen apo konflikte me natyrë kriminale.

Në vendin e ngjarjes mbërriti grupi hetimor i kryesuar nga Kryeprokurori i Dibrës, z. Abaz Muça, ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për një autopsi të detajuar, që pritet të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Krimi i rëndë ka ngjallur reagime të forta në rrjetet sociale, ku qytetarët kërkojnë drejtësi për Renis Dobrën dhe ndëshkim të menjëhershëm për autorët. Ndërkohë, autoritetet kanë garantuar se janë duke hetuar intensivisht në disa drejtime për të kapur përgjegjësit e këtij akti çnjerëzor.

Ngjarja e rëndë ndodh në një kohë kur shqetësimet për rritjen e nivelit të kriminalitetit në vend po bëhen gjithnjë e më të theksuara, dhe opinioni publik kërkon me ngulm zbardhjen e plotë të vrasjes së të riut 23-vjeçar, Renis Dobra.

Published inShowbizz