Komuniteti mjekësor shqiptar ka humbur këtë të mërkurë një figurë të shquar. Mjeku neonatolog Zymer Kurtaj është ndarë nga jeta, duke lënë pas dhimbje të thellë në radhët e kolegëve dhe pacientëve. Lajmi i trishtë u bë i ditur nga kolegët e tij, të cilët e kanë përshkruar doktor Kurtajn si një mjek të përkushtuar dhe të respektuar, i cili do të mungojë shumë në kujdesin ndaj fëmijëve të vegjël.
Zymer Kurtaj ishte një emër i njohur në fushën e mjekësisë shqiptare, me origjinë nga Malësia e Madhe. Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ka dhënë një kontribut të vyer me profesionalizmin e tij në spitalin e Shkodrës dhe më vonë në Tiranë. Për shumë vite, doktor Kurtaj u përkujdes me dashuri dhe dedikim për foshnjat e porsalindura, duke luftuar çdo ditë për jetën e tyre.
Në një mesazh prekës të publikuar nga kolegët, thuhet: “Lamtumirë Doktor Zymeri! Me dhimbje të thellë përcjellim sot lajmin për ndarjen nga jeta të njërit prej mjekëve & kolegëve tanë më të dashur, më të përkushtuar dhe më të respektuar, mjekut neonatolog Dr. Zymer Kurtaj. Dr. Zymeri ishte një mjek dhe koleg i nderuar që frymëzonte me përkushtimin dhe dashurinë e tij për profesionin. Për vite me radhë ai u përkujdes & qëndroi pranë foshnjave më të brishta, duke luftuar çdo ditë me profesionalizëm dhe dashuri për jetën, duke u kthyer në një shembull frymëzimi për të gjithë ne. I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes! Prehu në paqe dr. Zymeri.”
Humbja e doktor Zymer Kurtajt është një goditje e madhe për mjekësinë shqiptare, veçanërisht për fushën e neonatologjisë, ku ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme me punën dhe dedikimin e tij.
