Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur kritika të ashpra ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke e akuzuar se thotë “budallallëqe” për luftën në Ukrainë. Trump gjithashtu është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë armë për Kievin, duke përmbysur kështu një njoftim të mëparshëm dhe duke theksuar mbështetjen e tij për sanksione të reja kundër Moskës.
Në deklaratat e tij për mediat, Presidenti Trump u shpreh i zemëruar me liderin e Kremlinit lidhur me vazhdimin e luftës në Ukrainë. “Putini na godet me shumë budallallëqe, nëse dëshironi ta dini të vërtetën,” – u tha Trump gazetarëve, duke shtuar se ai është “shumë i pakënaqur” me Putinin pas bisedës së tyre të fundit që nuk çoi në ndonjë përparim drejt paqes.
Duke ndryshuar qëndrimin e raportuar javën e kaluar, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë për t’u mbrojtur nga agresioni rus. “Putini nuk është duke i trajtuar siç duhet njerëzit. Ai është duke vrarë shumë njerëz. Prandaj ne do të dërgojmë armë për mbrojtje dhe unë e kam miratuar këtë,” – tha Trump, duke raportuar se ka miratuar dërgimin e menjëhershëm të 10 sistemeve Patriot në Ukrainë.
Presidenti Trump gjithashtu ka sinjalizuar mbështetjen e tij për një projektligj të Senatit që synon vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Ai tha se po e vëzhgon me interes të madh këtë nismë, duke theksuar se është “ngopur” me sjelljen e Vladimir Putinit. Senatori republikan Lindsey Graham, sponsori kryesor i projektligjit, deklaroi se presidenti i ka dhënë “dritën jeshile” për të vazhduar me procedurat e miratimit. Pritet që projektligji, për të cilin është punuar prej kohësh, të paraqitet për votim në Kongres brenda këtij muaji.
Vetëm pak orë pasi Presidenti Trump shprehu kritikat e tij ndaj Putinit, Rusia nisi atë që Forcat Ajrore të Ukrainës e kanë cilësuar si sulmin më të madh me dronë ndaj vendit. Sulmi ajror masiv përfshiu 741 dronë, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 539 dronësh të regjistruar më 4 korrik. Forcat ukrainase thanë se arritën të shkatërrojnë 718 prej tyre, duke kufizuar dëmet dhe pa raportime të menjëhershme për viktima. Sulmi ishte aq intensiv saqë bëri që ushtria polake të ngrinte avionë në hapësirën e saj ajrore.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e dënoi sulmin e fundit rus, duke e quajtur atë “demonstrativ” dhe që vjen në një kohë kur ka pasur shumë përpjekje për të arritur paqen dhe armëpushimin, të cilat Rusia i ka hedhur poshtë. Ai u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të ushtrojnë presion mbi Rusinë për të menduar për përfundimin e luftës dhe jo për sulme të reja. Sulmi kryesisht synonte qytetin e Lutskut në veriperëndim të Ukrainës, siç konfirmoi edhe kreu i administratës ushtarake në rajonin Volyn, Ivan Rudnitskyi, duke shtuar se rajoni i tyre iu nënshtrua përsëri një sulmi masiv.
Ky zhvillim i fundit duket se e komplikon edhe më tej situatën e tensionuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, si dhe në konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë.