Skip to content

Saliani u lirua nga qelia, Dash Sula shpërthen: Ai …

Pas lirimit me kusht nga burgu të ish-deputetit Ervin Salianji, ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, duke shprehur kritika ndaj lidershipit të partisë për mungesën e mbështetjes ndaj kolegut të tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sula shkruan se Salianji është pritur me xhelozi brenda radhëve të Partisë Demokratike pas daljes nga burgu. Ai vë në dukje se asnjë nga drejtuesit e lartë të PD-së nuk e priti dje Salianjin, duke e interpretuar këtë si një shenjë që partia është më e interesuar të ruajë statusquonë dhe pushtetin e brendshëm sesa të punojë për të rritur mbështetjen elektorale.

Në postimin e tij, Sula shprehet: “E përcollën me ‘oiiiii’, e pritën me xhelozi. Dje doli nga burgimi politik Ervin Salianji, pas afro 10 muajsh izolim të padrejtë. Për Salianjin shoë me pranga në duar është një medalje sakrifice në interes publik. Por, dje paradite Salianji doli nga burgu dhe para se të takonte familjen e tij biologjike, u drejtua për te familja politike për të takuar anëtarët e familjes politike. Për t’u vlerësuar! Feedbacku që mori?! Asnjë nga udhëheqësia nuk denjoi ta priste. Nuk e kuptoj se ku shkuan të gjithë ata te devotshmit që ishin gati që të ngujoheshin për të mos e lejuar që të ekzekutohej vendimi gjykatës?!”

Sula shkon më tej duke pyetur nëse udhëheqësit e PD ishin më të gëzuar kur Salianji po shkonte në burg sesa tani që ai ka dalë. Ai e cilëson ditën e djeshme si një moment që duhej të ishte festuar nga Partia Demokratike, por sipas tij, ndodhi e kundërta.

Deputeti demokrat e sheh situatën e krijuar si dëshmi të faktit se PD nuk ka si synim fitoren në zgjedhje, por është e fokusuar në zënien e posteve brenda partisë dhe në Parlament. Ai sugjeron se Salianji, si një kandidat potencial për pozicione drejtuese në parti, shihet si kërcënim nga disa individë që po bëjnë çmos për ta minimizuar ndikimin e tij.

“Edhe një herë PD dëshmon se nuk synon maksimalizim por do të ruaj statuskuon. Janë luftëtarët më të paepur për të luftuar njëri-tjetrin,” – përfundon postimi i Dashnor Sulës, duke nxjerrë në pah një atmosferë të tensionuar dhe ndarje të brendshme në Partinë Demokratike.

Published inLajme