Aksioni i Institutit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit ka vijuar me tensione dhe protesta nga banorët. Një banor me aftësi të kufizuara ka ndarë me median historinë e tij të dhimbshme, duke shprehur dëshpërimin për shembjen e shtëpisë së tij, të ndërtuar në tokën e trashëguar nga familja.
Mes lotësh, banori theksoi se nuk e ka blerë tokën, por e ka trashëgim nga brezat e tij. Ai po ashtu pohoi se kishte aplikuar për leje ndërtimi, por nuk iu është dhënë, duke iu thënë të presë 20 vjet. “Kemi hedh shpenzimet e gjithë jetës, kemi hyre në borxh, e tani po i prishin. Janë shtëpia druri, pa beton, pa asgjë, thjesht druri në tokën time. Kemi aplikuar për leje, por nuk na e japin, me prit pas 20 vjetëve leje. Toka është e imja, jo e blerë, trashëgimi,” – u shpreh banori i prekur.
Ai gjithashtu tha se investimi në ndërtesën e tij është bërë sipas udhëzimeve që kanë marrë nga autoritetet, duke përdorur vetëm strukturë druri dhe pa përdorur beton. Banori i përlotur bëri thirrje që shteti të vijë të verifikojë ndërtimet dhe të shohë që nuk ka asnjë pëllëmbë beton.
“Kërkojmë nga shteti që të mos na i prishë, se dalim në rrugë të madhe. E vetmja mënyrë kjo është, vetëm me vdek na ka ngel. Familja çfarë të jetoj, çfarë të bëj këtu. Të gjitha lekët këtu janë derdhur, me borxh, pension, të gjitha bashkë,” – përfundoi ai rrëfimin e tij.
Kjo histori e dhimbshme tregon për situatën e vështirë në të cilën ndodhen banorët e Thethit përballë aksionit të IKMT-së, duke ngritur pikëpyetje mbi trajtimin e rasteve individuale dhe procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit në zonat turistike me vlera të veçanta.