Gjykata e Lartë ka vendosur sot të mos pranojë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër masës së sigurisë “Arrest me burg”. Me këtë vendim, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm, duke konfirmuar që Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në burg.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë, me relatore gjyqtaren Albana Boksi dhe anëtarë gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj. Ky është shkalla e tretë e gjyqësorit që e lë Veliajn në burg, pas vendimeve të mëparshme të Gjykatës së Posaçme dhe Apelit të Posaçëm, të cilat refuzuan kërkesat e tij për ndryshimin e masës së sigurisë, pavarësisht garancisë pasurore të ofruar.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt pas një hetimi njëvjeçar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ai akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” (nëntë raste në bashkëpunim) dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Pas vendimit të Apelit, Veliajt iu shtua edhe akuza për futjen e sendeve të ndaluara në qeli.
Në të njëjtën çështje është e akuzuar edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe akuzohet për të njëjtat vepra penale si dhe për “Refuzimin për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive”.
Sipas hetimit të SPAK, Veliaj dhe Xoxa dyshohet se kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh nëpërmjet organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre, duke përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet gjithashtu për përfitimin e tre vilave, ndërsa Xoxa për shpenzime online prej rreth 800 mijë eurosh të padeklaruara. Disa biznesmenë akuzohen se kanë ofruar ryshfete në këmbim të tenderave dhe lejeve nga Bashkia e Tiranës.
Ndërkohë, SPAK ka rënduar pozitat penale të çiftit, duke shtuar akuzën e fshehjes së pasurisë dhe sekuestruar një apartament tjetër në zonën e “Kodrës së Diellit”.
Aktualisht, Veliaj ndodhet në paraburgimin e burgut të Durrësit, nga ku ka ndërmarrë një fushatë publike kundër prokurorit dhe gjyqtarëve të çështjes. Ai ka angazhuar gjithashtu studio ligjore ndërkombëtare dhe një kompani PR britanike për mbrojtjen e tij. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë e lë të pandryshuar masën e sigurisë, duke e mbajtur kryebashkiakun e Tiranës në burg.