Temperaturat e larta të ditëve të fundit duket se do të marrin fund, pasi sipas parashikimeve të Meteoalb, vendi ynë do të përfshihet nga një sistem i ri moti që do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave dhe reshje shiu. Specialisti i Meteoalb, Hakil Osmani, në një intervistë të dhënë sot, ka detajuar ndryshimet e motit që priten në ditët në vijim.
Osmani bëri të ditur se dita e sotme ka nisur me temperatura më të ulëta në orët e para të mëngjesit, sidomos në zonat malore ku termometri ka shënuar rreth 14 gradë Celsius. Rreth mesditës, pritet një rënie më e dukshme e temperaturave në zonat veriore me rreth 3 gradë, ndërsa në zonat e mesme dhe jugore rënia do të jetë më e lehtë, rreth 1-1.5 gradë Celsius. Kjo do të bëjë që temperaturat maksimale sot të luhaten rreth 37-38 gradë Celsius në disa zona.
Ndryshimi më i ndjeshëm i motit pritet ditën e nesërme, e mërkurë, kur minimumet do të pësojnë një rënie prej 3-4 gradësh, duke zbritur në 10-11 gradë Celsius në zonat malore dhe duke u luhatur nga 14-26 gradë Celsius në Ultësirën Perëndimore. Rreth orëve të mesditës, e mërkura do të shënojë një rënie të temperaturave me të paktën 5 gradë Celsius në të gjithë vendin, ku maksimalet do të regjistrohen rreth 32-33 gradë Celsius në zonën e Fierit, ndërsa në pjesën tjetër të vendit do të jenë rreth 27-31 gradë Celsius, dhe në zonat malore 24-25 gradë Celsius.
Sipas Osmanit, moti i freskët do të vazhdojë edhe gjatë ditës së enjte. Megjithatë, nga dita e premte pritet një rikthim gradual i temperaturave të larta, të cilat do të shoqërohen gjatë gjithë fundjavës, duke arritur vlerat 36-37 gradë Celsius.
Kjo rënie e temperaturave do të shoqërohet edhe me vranësira të shpeshta dhe reshje shiu. Sot dhe të mërkurën pritet prezencë lagështire në ajër, duke sjellë reshje, ku dita e sotme do të ketë reshje më të pakta, ndërsa e mërkura do të karakterizohet nga reshje më të shpeshta për shkak të lagështirës më të madhe në ajër. Sinoptikani bëri të ditur se rreshjet do të jenë më intensive nesër, me mundësi rrebeshesh të forta në disa zona të vendit.