Një ngjarje e rëndë dhe thellësisht shqetësuese ka tronditur opinionin publik në Kosovë mbrëmjen e së hënës, ku një ndërhyrje policore përfundoi me humbjen e jetës së një 27-vjeçari.
Ngjarja ndodhi në qytetin e Lipjanit, në rrugën “Haradin Bajrami”, dhe viktima është identifikuar si Agron Zejnullahu. Ai ndërroi jetë në rrethana ende të paqarta në orët e para të mëngjesit të datës 7 korrik, ndërsa ishte nën shoqërimin e Policisë së Kosovës.
Sipas informacioneve zyrtare, Policia kishte ndërhyrë pas një denoncimi të qytetarëve, të cilët raportuan se Zejnullahu ndodhej në gjendje të rënduar nga alkooli dhe po sillte shqetësime e sulme fizike në rrugë.
Në vendngjarje u paraqit një ekip policor prej pesë efektivësh, përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë. Por ndërhyrja për neutralizimin e situatës përfundoi në tragjedi – i riu humbi jetën pak minuta më vonë.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka nisur menjëherë hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes.
Në një njoftim zyrtar, IPK konfirmoi arrestimin e pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në ndërhyrje. “Pas intervistimit të zyrtarëve policorë dhe analizimit të dëshmive të tjera,
përfshirë pamjet e sigurisë, dëshmitë e qytetarëve dhe të dhënat mjekësore, është vendosur ndalimi për 48 orë i pesë efektivëve nën dyshimin për përfshirje në vdekjen e 27-vjeçarit,” thuhet në deklaratë.
Por ndërsa autoritetet flasin me gjuhën e procedurës, familjarët e viktimës kanë dalë me akuza të rënda publike ndaj Policisë. Sipas tyre, Agron Zejnullahu nuk ka vdekur nga asnjë problem shëndetësor, por si pasojë e dhunës së tepruar dhe abuzimit me forcën nga ana e efektivëve. Ata pretendojnë se i riu është rrahur brutalisht gjatë shoqërimit dhe më pas është lënë pa ndihmë mjekësore.

