Aktori i njohur i humorit, Emir Hoxhaj, i njohur nga publiku për rolet e tij në spektaklin “Portokalli”, ka ndarë një moment dramatik nga karriera e tij teatrale që për pak i kushtoi jetën.
I ftuar në emisionin “Hipokrati”, Hoxhaj rrëfeu se gjatë një shfaqjeje teatrale vite më parë, u plagos në kokë nga një shpatë e vërtetë, duke përjetuar një incident të rrezikshëm, që ndodhi përpara publikut, në skenë.
“Luaja në teatër, isha në skenë dhe ndodhi live. Më është çarë koka. Ishte një skenë lufte ku përdornim shpata të vërteta, sepse regjisori kërkonte armë me peshë reale për të dhënë ndjesinë autentike të përplasjes,” – kujton aktori.
Për fat të mirë, Emirit i shpëtoi koka falë një “aksidenti” të vogël me kostumin. Ai tregon se kishte vendosur dy bluza poshtë një kapelë ilire prej lëkure që i rrinte më e madhe se ç’duhej.
“Ajo kapelë ishte thjesht për pamje, prej lëkure, por më rrinte e lirë, ndaj i fusja dy bluza poshtë që të më rrinte fiks. Mund të them se ato bluza më shpëtuan jetën,” – tha ai.
Megjithëse i lënduar, Hoxhaj nuk e ndërpreu shfaqjen. Ai vazhdoi të interpretonte deri në fund dhe më pas shkoi në urgjencë.
“Doktori më tha të qëndroja për gjashtë orë nën vëzhgim, sepse goditja kishte qenë në pjesën e kokës. Por unë kisha një tjetër shfaqje të nesërmen,” – shtoi ai me një buzëqeshje, duke treguar përkushtimin ndaj artit.
Por incidentet e rrezikshme nuk kanë munguar as jashtë skene. Hoxhaj tregoi edhe dy raste të tjera kur është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore — të dyja herët në plazh.
“Një herë më ishte çarë pak koka, një herë tjetër më pickoi një merimangë. E kam kuptuar se spitalet më japin energji negative,” – rrëfen aktori me një ndjesi humori që nuk e braktis as në rrëfimet më të rënda.
Rrëfimi i Emir Hoxhajt, përtej ndjeshmërisë, shfaq edhe fytyrën tjetër të aktorit të humorit – atë të artistit të përkushtuar, që ndonjëherë sakrifikon gjithçka për skenën, madje edhe shëndetin e tij.
