Dy të mitur 16-vjeçarë kanë humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u gjetën të mbytur në shtratin e lumit Kosynthos në Greqi. Viktimat ishin dy kushërinj, të cilët familjarët e tyre i kishin shpallur në kërkim që nga mëngjesi i ditës së sotme.
Sipas raportimeve të mediave lokale greke, dy të rinjtë kishin dalë nga shtëpia të dielën pasdite për të bërë një shëtitje në natyrë, por nuk ishin kthyer më. Pas kërkimeve nga familjarët, ata u gjetën të mbytur në shtratin e lumit Kosynthos.
Trupat e pajetë të dy fëmijëve janë dërguar në Spitalin e Xanthit, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Kjo ngjarje tragjike rikujton një tjetër incident të ngjashëm të ndodhur pak javë më parë, kur dy të mitur, Kleonis Fetollari me origjinë shqiptare dhe Spyros Kristofor me origjinë greke, humbën jetën pasi u mbytën në ujërat e Arachthos. Ata kishin hyrë në lumë për t’u freskuar, por papritmas filluan të kërkonin ndihmë. Edhe pse u nxorën nga uji nga shtetasi shqiptar Ledian Goga, pas 24 orësh në spital, ata nuk arritën të mbijetonin. Këto dy raste tragjike theksojnë rrezikun që paraqesin lumenjtë, veçanërisht gjatë sezonit të verës, dhe nevojën për kujdes të shtuar nga ana e të rinjve dhe prindërve.