Ish-ministri rus i Transportit, Roman Starovoyt, ka ndërruar jetë vetëm pak orë pasi u shkarkua zyrtarisht nga Presidenti Vladimir Putin, ka njoftuar të hënën Komiteti Hetimor i vendit.
Autoritetet thanë se trupi i pajetë i Starovoyt, 53 vjeç, u gjet në një zonë periferike të Moskës pasi shkarkimi i tij u bë publik. Vetëvrasja po konsiderohet si shkaku më i mundshëm i vdekjes.
Starovoyt kishte shërbyer si ministër i Transportit të Rusisë që nga maji i vitit të kaluar (2024). Para kësaj, ai ishte guvernator i rajonit të Kursk, një zonë ku Rusia është përballur me inkursione nga Ukraina.
“Sot, trupi i ish-Ministrit të Transportit Roman Starovoyt u gjet në makinën e tij private me një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në distriktin Odintsovo,” tha Komiteti Hetimor në një deklaratë. “Versioni kryesor (që po konsiderohet) është vetëvrasja,” shtoi komiteti.
Mediat shtetërore dhe agjencitë e lajmeve ruse raportuan se Starovoyt e ka qëlluar veten. Nuk është e qartë koha e saktë e vdekjes së Starovoyt.
Pak orë më parë, Kremlini publikoi një dekret të firmosur nga Putin për lirimin e Starovoyt nga detyrat e tij. Dekreti shprehej vetëm: “Roman Starovoyt u lirua nga posti i Ministrit të Transportit.”
Shkarkimi i Starovoyt vjen pas një tjetër fundjave me kaos në udhëtime në aeroportet ruse, pas sulmeve me dronë ukrainas. Mediat shtetërore ruse gjithashtu spekuluan se shkarkimi mund të ishte i lidhur me korrupsion në rajonin e Kursk dhe një rast të mundshëm penal për përvetësim fondesh të destinuara për fortifikime në zonën kufitare.
Duke komentuar shkarkimin, para se të njoftohej vdekja e Starovoyt, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ai “nuk ishte i lidhur me humbjen e besimit”.
Pak pasi Kremlini njoftoi shkarkimin, Putin u takua me një nga zëvendësit e Starovoyt, Andrei Nikitin, për ta emëruar atë ministër të transportit në detyrë.