Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta, ish-liderë të Partisë së Lirisë dhe ish-bashkëshortë, kanë vijuar replikat e ashpra në distancë gjatë ditës së sotme. Fillimisht, Ilir Meta reagoi ndaj deklaratave të fundit të Kryemadhit, duke iu drejtuar asaj me termin “Zegjineja e SPAK-ut” dhe duke i kërkuar që të mos e përmendte më emrin e tij në publik.
Meta ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi udhëtimin e Kryemadhit në Shtetet e Bashkuara në muajin janar, duke marrë parasysh hetimet që SPAK po kryen ndaj saj për lidhje dhe përfitime të mundshme nga kushëriri i saj në SHBA, Adrian Shatku. Meta shprehu dyshime se si Kryemadhi mundi të merrte leje nga organi i akuzës për të udhëtuar jashtë vendit në këto rrethana.
Në përgjigjen e saj, Monika Kryemadhi ka zgjedhur rrjetet sociale për të kundërpërgjigjur. Ajo ka publikuar një foto të vizës së saj amerikane, e cila tregon se është një vizë me disa hyrje-dalje, duke nënkuptuar se ajo nuk ka asnjë ndalim për të udhëtuar jashtë Shqipërisë.
Kryemadhi ka theksuar se nuk ka nevojë të marrë leje nga askush për të udhëtuar, përveç ditës kur ka detyrimin të paraqitet pranë SPAK-ut. Ajo nuk e ka lënë pa ironizuar ish-bashkëshortin e saj, duke e quajtur “fansi i Zeqinës”, dhe ka përmendur edhe Tedi Blushin, duke e etiketuar si “fansi i garderobës së saj”.
Kujtojmë se të enjten e kaluar, gjatë një prononcimi jashtë Kuvendit, Kryemadhi lëshoi akuza të forta ndaj Tedi Blushit, duke e cilësuar atë si personin që manipulon Ilir Metën dhe e ka larguar nga miqtë dhe familja. Ky shkëmbim i fundit i replikave tregon tensionin e vazhdueshëm mes ish-liderëve të Partisë së Lirisë dhe përkeqësimin e marrëdhënieve personale mes tyre.
