Një burrë ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e dhunës në familje, e cila ka ndodhur më 6 korrik 2025 në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Prizren. Gazeta Sinjali raporton se viktima, e identifikuar si B.G., 39 vjeçar, është goditur me thikë nga bashkëshortja e tij gjatë një konflikti.
Sipas burimeve të gazetës, pas një konflikti verbal, situata ka eskaluar në dhunë fizike, ku bashkëshortja e viktimës, M. R., 34 vjeçare, e ka goditur burrin e saj me një thikë kuzhine në pjesën e barkut (abdomenit), duke i shkaktuar një plagë të thellë.
I lënduari është dërguar menjëherë në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku mjeku kujdestar ka konfirmuar se ai ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për trajtimin e plagës.
Ndërkohë, e dyshuara për këtë akt të dhunshëm është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht ndodhet në arrati. Njësitë e policisë në Prizren kanë nisur menjëherë kërkimet për kapjen e saj.
Rasti është klasifikuar nga autoritetet si “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Dhunë në familje”, dhe hetimet janë duke u zhvilluar nga njësitet kompetente të Policisë në Prizren për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.