Pas raportimeve për vizitën e tij të fundit në Bashkinë e Vlorës, ku urdhëroi dorëheqjen e drejtorëve dhe kërkoi lirimin e hapësirave publike, Kryeministri Edi Rama mësohet se do të “zbarkojë” sërish ditën e nesërme në qytetin bregdetar. Burime për mediat konfirmojnë se Rama do të shkojë vetë për të parë nga afër zbatimin e porosive të dhëna.
Kjo vizitë e dytë vjen pas veprimeve të ndërmarra nga Rama gjatë vizitës së tij të paradites së 3 korrikut, kur me “bllok në dorë” dha disa urdhra të prerë në Bashkinë e Vlorës. Një prej tyre ishte dhe kërkesa për dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të këtij institucioni, urdhër i cili u zbatua brenda ditës, pasi të gjithë drejtorët nën administrimin e Ermal Dredhës paraqitën kërkesat e tyre për t’u larguar nga postet që mbanin.
Në listën e drejtorëve që u larguan më 4 korrik përfshiheshin emra si Zambak Selmanaj, Olsi Durrolli, Dorjan Demiri, Kozma Mali, Emiljano Ismalili, Sokol Kananaj, Jovan Jaupaj, Arlinda Tepelena, Dorjan Xhelili, Francesko Tozaj, Endri Rrokaj, Anila Hitaj, Irena Stasa, Elida, Lorela Ballaj, Ardian Vreshtazi, Sokol Toto, Genci Demiraj, Laura Brinja, Igli Zahaj dhe Elona Merkaj.
Gjithashtu, një tjetër kërkesë e Ramës ishte dhe ngritja e dy grupeve të punës për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor. Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, ka në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë. Ndërsa, grupi i dytë, i përbërë nga Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, po merren me analizimin e emrave të mundshëm për postet e drejtorëve në Bashkinë e Vlorës.
Nga kryeqyteti, Rama ka ripërsëritur kërkesën e tij për pronarët e bizneseve në Vlorë, kryesisht në zonën e Lungomarës, për të liruar hapësirat publike dhe të zhbllokojnë trotuaret. Ai theksoi se nuk ka problem me vendosjen e karrigeve dhe ofrimin e shërbimit në një pjesë të trotuarit, por insistoi që trotuari është për njerëzit dhe nuk duhet të kthehet në një zonë të barrikaduar.
Të gjitha këto zhvillime sugjerojnë se vizita e nesërme e Kryeministrit Rama në Vlorë mund të sjellë ndryshime të tjera të rëndësishme në administratën vendore dhe në zbatimin e planit për lirimin e hapësirave publike. Pritet me interes se çfarë vendimesh të tjera do të merren gjatë kësaj vizite të dytë brenda pak ditësh.