Një aksident tragjik me pasojë vdekjen ka ndodhur sot në fshatin Gryk-Çajë, në Kukës, ku drejtuesi i një mjeti ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga. Si pasojë e plagëve të marra, drejtuesi i mjetit, i identifikuar si Liman Shehu, 65-vjeç, ka ndërruar jetë gjatë transportimit me ambulancë për në spital.
Policia e Kukësit njoftoi se “Në fshatin Gryk-Çajë, shtetasi L. Sh., 65 vjeç, banues në fshatin Çajë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit tip “Fiat”, dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”.
Më herët gjatë ditës së sotme, janë raportuar edhe dy aksidente të tjera në zona të ndryshme të vendit.
Në fshatin Gjorm të Lacit, një furgon pasagjerësh dhe një autoveturë janë përplasur me njëra-tjetrën. Nga ky aksident janë raportuar dy drejtues të plagosur lehtë, ndërsa një pasagjer ka marrë plagë më të rënda dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë. Njëri nga drejtuesit e mjeteve është shoqëruar në komisariat pasi ka rezultuar nën efektin e alkoolit.
Ndërkohë, në aksin Elbasan-Peqin, në fshatin Pajovë, një automjet ka dalë nga rruga. Për këtë rast nuk janë raportuar persona të lënduar.
Këto incidente të shumta gjatë ditës së sotme tregojnë për rrezikun e shtuar në rrugë dhe nevojën për kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve. Autoritetet po hetojnë rrethanat e secilit aksident për të përcaktuar shkaqet e sakta.