Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër lidhur me rrezikun e një sulmi të mundshëm ushtarak të koordinuar nga Kina dhe Rusia, duke theksuar se një veprim i tillë mund të zhysë botën në një konflikt global shkatërrues.
Në një vlerësim të tij, Rutte, ish-kryeministri holandez, sugjeroi se Presidenti kinez Xi Jinping mund të tentojë të pushtojë Tajvanin, ndërkohë që do t’i kërkonte Presidentit rus Vladimir Putin të niste një sulm paralel në territorin e NATO-s, duke rrezikuar kështu një Luftë të Tretë Botërore.
“Le të mos jemi naivë për këtë. Nëse Xi Jinping do të sulmonte Tajvanin, ai së pari do të sigurohej që t’i telefononte partnerit të tij më të vogël në të gjithë këtë, Vladimir Vladimirovich Putin, i cili banon në Moskë, dhe t’i thoshte: ‘Hej, unë do ta bëj këtë dhe kam nevojë që t’i mbash të zënë në Evropë duke sulmuar territorin e NATO-s.’ Kjo është me shumë mundësi mënyra se si do të përparojë kjo”, – u shpreh Rutte për gazetën New York Times.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur frika po rritet për mundësinë që Rusia të ketë në shënjestër shtetet baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania, të cilat janë anëtare të NATO-s dhe dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Rutte theksoi se Perëndimi duhet të veprojë me urgjencë për të parandaluar një skenar të tillë duke forcuar mbrojtjen e tij dhe duke rritur bashkëpunimin me aleatët në rajonin Indo-Paqësor. Ai argumentoi se forcimi i mbrojtjes kolektive të NATO-s do të shërbejë si pengesë për Rusinë, ndërsa bashkëpunimi me Indo-Paqësorin është thelbësor për shkak të ndërlidhjes së ngushtë mes rajoneve.
Pavarësisht bisedimeve të zhvilluara nga ish-presidenti amerikan Donald Trump me Putinin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Rutte paralajmëroi se Rusia po e rrit prodhimin ushtarak me një ritëm shumë më të shpejtë se Perëndimi, duke theksuar bashkëpunimin e Rusisë me Korenë e Veriut, Kinën dhe Iranin në mbështetje të agresionit të saj në Ukrainë.
Ndërkohë, Kremlini ka reaguar me zemërim ndaj paralajmërimit të Rutte, ku ish-presidenti rus Dmitry Medvedev e ironizoi shefin e NATO-s duke aluduar për një bashkëpunim të fshehtë mes Kinës dhe Rusisë për Tajvanin, pasuar nga një sulm rus në Evropë.