Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur në Lancashire të Anglisë, ku një djalë katërvjeçar ka humbur jetën tragjikisht pasi një gur varri ra mbi të në Rawtenstall Cemetery. Incidenti ndodhi rreth orës 13:00 të ditës së djeshme.
Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bënë çmos për të shpëtuar fëmijën, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, ai nuk arriti të mbijetojë.
Policia e Lancashire konfirmoi tragjedinë me një deklaratë zyrtare, duke shprehur ngushëllimet për familjen e djalit. “U thirrëm në Rawtenstall Cemetery më 5 korrik rreth orës 13:00, pas raportimeve se një gur varri kishte rënë mbi një fëmijë. Fatkeqësisht, dhe pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve emergjente, djali ndërroi jetë. Mendimet tona janë me të afërmit e tij në këtë moment të dhimbshëm,” – thuhet në deklaratën e policisë.
Edhe Këshilli Bashkiak i Rossendale shprehu trishtimin e thellë për këtë humbje tragjike. “Jemi thellësisht të tronditur nga vdekja tragjike e një fëmije të vogël sot në varrezat e Rawtenstall. Mendimet tona janë me familjen e tij në këtë kohë të vështirë. Jemi duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet për të kuptuar rrethanat e këtij incidenti,” – u shpreh këshilli bashkiak.
Ngjarja e rëndë ka prekur thellë gjithë komunitetin lokal. Këshilltarja e lagjes Longholme, Liz McInnes, e cilësoi rastin si një “tragjedi të tmerrshme”, ndërsa deputeti Andy MacNae shprehu solidaritetin e tij me familjen dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje.
Varrezat e Rawtenstall Cemetery, ku ndodhi incidenti, ndodhen në rrugën Burnley dhe shtrihen në një sipërfaqe prej rreth 17 hektarësh, duke pasur mbi 21,000 varrime. Ato ofrojnë shërbime funerale për komunitetet Katolike, të Kishës së Anglisë, jokonformiste dhe myslimane. Autoritetet pritet të nisin hetimet për të kuptuar se si guri i varrit mundi të rrëzohet dhe të shkaktojë një tragjedi të tillë.
