Autoritetet kanë konfirmuar të shtunën se numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të shpejta në Teksasin qendror është rritur në 27, duke përfshirë nëntë fëmijë. Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në mënyrë intensive për të gjetur të mbijetuarit, mes të cilëve dhjetëra persona figurojnë ende të zhdukur nga një kamp veror për vajza.
Zyra e sherifit të Kerr County, Teksas, njoftoi se më shumë se 800 persona janë evakuuar nga rajoni ndërsa uji ka filluar të tërhiqet në zonën përreth lumit Guadalupe, rreth 137 kilometra në veriperëndim të San Antonios. Sherifi i Kerr County, Larry Leitha, në një konferencë për shtyp deklaroi: “Nuk do të ndalemi derisa çdo person të gjendet.”
Të paktën 23 deri në 25 persona nga kampi veror Camp Mystic figurojnë të zhdukur, shumica prej tyre raportohet të jenë vajza të reja. Niveli i ujit të lumit pranë kampit u rrit me shpejtësi rreth 9 metra.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së ka njoftuar se gjendja e jashtëzakonshme e përmbytjeve të shpejta ka përfunduar kryesisht për Kerr County, epiqendra e përmbytjeve, pas stuhive që shkarkuan deri në 30 centimetra shi të premten herët në mëngjes. Megjithatë, një paralajmërim për përmbytje mbetet në fuqi deri në orën 19:00 për rajonin më të gjerë.
Zëvendësguvernatori i Teksasit, Dan Patrick, tha se deri në 500 punonjës shpëtimi po kërkojnë një numër të panjohur personash që janë ende të zhdukur, përfshirë shumë që kishin ardhur në zonë për të festuar Festën e Pavarësisë pranë lumit. Ai u shpreh për Fox News Live se nuk dihet numri i saktë i personave që mund të kenë qenë në tenda, rimorkio të vogla apo shtëpi me qira pranë lumit për shkak të festës së 4 Korrikut.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se qeveria federale po punon me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë për t’iu përgjigjur situatës së përmbytjeve. “Melania dhe unë po lutemi për të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi e tmerrshme. Ekipet tona të guximshme të shpëtimit janë në vendngjarje duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë,” – shkroi ai në rrjetet sociale.
Menaxheri i qytetit të Kerrville, Dalton Rice, tha të premten se përmbytjet ekstreme goditën para zbardhjes me pak ose aspak paralajmërim, duke pamundësuar autoritetet të lëshonin urdhra paraprakë evakuimi pasi lumi Guadalupe u rrit shpejt mbi nivelin e përmbytjes brenda më pak se dy orësh. Zyrtarët e menaxhimit të emergjencave shtetërore kishin paralajmëruar që të enjten për reshje të dendura dhe kërcënime nga përmbytjet e shpejta në Teksasin perëndimor dhe qendror, duke cituar parashikimet e Shërbimit Kombëtar të Motit përpara fundjavës së festës. Megjithatë, parashikimet “nuk e parashikuan sasinë e shiut që pamë,” – tha drejtori i Divizionit të Menaxhimit të Emergjencave të Teksasit, W. Nim Kidd.
Kjo katastrofë e fundjavës kujton përmbytjen katastrofike të lumit Guadalupe në vitin 1987, në të cilën humbën jetën 10 adoleshentë gjatë një përpjekjeje për t’u larguar nga një kamp kishtar, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.