Përpjekjet e Kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez për të përmirësuar reputacionin e Partisë Socialiste të Punëtorëve (PSOE) pas një sërë skandalesh korrupsioni kanë marrë një tjetër goditje të rëndë me dorëheqjen e një zyrtari të lartë të partisë.
Francisco Salazar, i cili mbante postin e mbikëqyrësit të koordinimit institucional në pallatin Moncloa, rezidenca dhe zyra zyrtare e kryeministrit, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij dhe nga roli si zëvendës në sekretariatin e partisë këtë të shtunë. Dorëheqja erdhi pas akuzave të ngritura nga disa punonjëse të komitetit federal të PSOE-së, të cilat e denoncojnë për ngacmim s–sual.
Akuzat dolën në dritë pas publikimit të një artikulli nga portali elDiario, ku punonjëset e partisë rrëfyen për sjellje të papërshtatshme nga Salazar. Ndonëse ai ka mohuar publikisht të ketë pasur sjellje të pahijshme dhe ka thënë se nuk i kujtohet asnjë incident i tillë, ai ka kërkuar falje publike për atë që e quajti humbje të besimit. Aktualisht, janë raportuar hetime për çështjen, por ende nuk është ngritur ndonjë padi zyrtare ndaj tij.
Kjo ngjarje vjen në një moment delikat për Kryeministrin Sanchez, i cili po përballet me presion në rritje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme pas një sërë skandalesh që kanë minuar premtimet e tij për transparencë dhe integritet, me të cilat ai erdhi në pushtet shtatë vite më parë.
Megjithatë, Sanchez ka reaguar me forcë ndaj thirrjeve për dorëheqje, duke deklaruar se nuk do të largohet nga posti i tij. “Kapiteni nuk i shmanget përgjegjësisë kur deti bëhet i trazuar. Ai qëndron për t’i bërë ballë stuhisë dhe për ta çuar anijen në port,” – u shpreh ai në një deklaratë.
Situata për PSOE-në komplikohet edhe më tej nga arrestimi pak ditë më parë i Santos Cerdanit, një tjetër figurë e lartë e partisë dhe ish-sekretar i përgjithshëm, i cili ndodhet në paraburgim me vendim të Gjykatës së Lartë nën akuzën për marrje ryshfeti në lidhje me tenderë publikë për ndërtim. Këto zhvillime të fundit po rrisin presionin mbi qeverinë e Sanchez dhe minojnë më tej besimin e publikut tek partia në pushtet.