Ish-kryetari socialist i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili u arrestua më vonë në Itali si i përfshirë në trafikun e kokainës, ka fituar një betejë ligjore kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shkarkimin e tij nga detyra 6 vite më parë.
Kajmaku u shkarkua me vendim unanim të KQZ-së në vitin 2019, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, pasi nuk kishte deklaruar një arrestim dhe hetim të mëparshëm në Greqi për përdorim parash false. Megjithatë, Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur se shkarkimi i tij ka qenë i padrejtë.
Si rezultat i këtij vendimi, Bashkia Vorë dhe Këshilli i Qarkut Tiranë janë detyruar të dëmshpërblejnë Agim Kajmakun me pagat e plota për një mandat 4-vjeçar, pavarësisht se ai shërbeu vetëm 3 muaj në detyrë. Kjo do të thotë se Kajmaku do të marrë pagat nga nëntori 2019 deri në qershor 2023, si për postin e kryebashkiakut të Vorës ashtu edhe si anëtar i Këshillit të Qarkut Tiranë. Përveç kësaj, KQZ duhet t’i paguajë Kajmakut 15 mijë euro kompensim moral, si dhe nga 7 mijë euro bashkëshortes dhe djalit të tij për dëmin emocional të shkaktuar.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Kajmaku është zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe shkarkimi i tij nga KQZ nuk ka respektuar nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, i cili përcakton shkaqet për shkarkimin e kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave. Gjykata vlerëson se vendimi i KQZ-së nuk ka përmbushur standardet e arsyetimit dhe verifikimit të informacionit.
Megjithatë, ky vendim i Gjykatës Administrative ende nuk është i formës së prerë, pasi është ankimuar në Apel nga KQZ dhe Bashkia e Vorës.
Agim Kajmaku u zgjodh kryebashkiak i Vorës në zgjedhjet e vitit 2019. Pas shkarkimit nga KQZ, ai u shpall në kërkim nga policia dhe u arrestua 8 muaj më vonë. Fillimisht u la në burg, por më pas Apeli e liroi me masën “detyrim paraqitje”. Në vitin 2022, Gjykata e Tiranës pushoi të gjitha akuzat ndaj tij në Shqipëri.
Megjithatë, historia e tij me drejtësinë nuk përfundoi këtu. Në maj 2022, Agim Kajmaku u arrestua në Itali gjatë një operacioni antidrogë, pasi u kap me 20 kilogramë kokainë. Pas qëndrimit në burg, ai u lirua në prill 2023. Kjo sagë ligjore dhe penale e ish-kryebashkiakut të Vorës vazhdon me fitoren e tij të fundit ndaj KQZ-së në Gjykatën Administrative.