Kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e sotme në selinë e Partisë Socialiste deputetët socialistë të qarkut të Tiranës. Ky takim vjen pas takimit të zhvilluar një ditë më parë me drejtorët e Bashkisë së Tiranës dhe deputeten e zgjedhur më 11 maj, duke treguar fokusin e Kryeministrit në zhvillimet politike dhe administrative në kryeqytet.
Burime nga kjo mbledhje të siguruara, raporton Top Channe,l bëjnë të ditur se Rama ka prekur edhe temën e mundësisë së zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Ai mësohet të ketë shprehur dilema në lidhje me shkarkimin e mundshëm të kryebashkiakut aktual të Tiranës, Erion Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në qeli. “Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë,” – citohet të ketë thënë Rama, duke lënë të kuptohet njëfarë pasigurie rreth hapave të ardhshëm.
Sipas të njëjtave burime, Kryeministri u ka kërkuar socialistëve të Tiranës që të shmangin çdo diskutim publik në studiot televizive në lidhje me mundësinë e zgjedhjeve për bashkinë, kjo në një kohë kur kryebashkiaku i zgjedhur, Erion Veliaj, ndodhet në arrest.
Pikëpyetja e ngritur nga Rama për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës lidhet ngushtësisht edhe me zhvillimin e pritshëm në Gjykatën e Lartë. Më 8 korrik pritet që ky institucion të shqyrtojë apelin e kërkuar nga Erion Veliaj, dhe vendimi i Gjykatës së Lartë do të jetë vendimtar për të ardhmen e tij në krye të bashkisë.
Takimi i sotëm i Ramës me deputetët socialistë duket se synon përgatitjen e partisë për çdo skenar të mundshëm në lidhje me drejtimin e Bashkisë së Tiranës.