Cristiano Ronaldo, një nga figurat më të mëdha të futbollit botëror, ka reaguar me një mesazh të ndjerë ngushëllimi për familjen e Diogo Jota-s, sulmuesit të Liverpool-it, dhe vëllait të tij, Andre Silva, të cilët humbën jetën tragjikisht në një aksident rrugor.
Ronaldo, i cili ka qenë shok skuadre me Diogo Jota-n në kombëtaren portugeze, ka shprehur trishtimin e tij të thellë dhe ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale. “Nuk ka kuptim. Vetëm para pak ditësh ishim bashkë në ekipin kombëtar, ti sapo ishe martuar. Familjes tënde, gruas dhe fëmijëve të tu, u dërgoj ngushëllimet e mia dhe ju uroj gjithë forcën e botës. E di që do të jesh gjithmonë me ta. Pusho në paqe, Diogo dhe André. Do të na mungosh të gjithëve”, ka shkruar Ronaldo.
Mesazhi i Ronaldos thekson humbjen e madhe për botën e futbollit dhe veçanërisht për kombëtaren portugeze, vetëm pak ditë pasi Diogo Jota kishte celebruar martesën e tij. Lajmi i rëndë për vdekjen e Diogo Jota-s, sulmuesit 28-vjeçar të Liverpool-it, u konfirmua mëngjesin e sotëm pas një aksidenti tragjik në Spanjë. Sipas autoriteteve vendase, aksidenti ndodhi në kilometrin e 65-të të autostradës A-52, pranë komunës së Palacios de Sanabria. Raportohet se Diogo Jota po udhëtonte me makinë së bashku me vëllain e tij Andre, gjithashtu një futbollist 26-vjeçar, kur automjeti doli nga rruga dhe u përfshi në flakë, duke shkaktuar vdekjen e të dy vëllezërve. Ky lajm tragjik vjen vetëm dy javë pas martesës së 28-vjeçarit me të dashurën e tij prej shumë kohësh, Rute Cardoso, në Porto.