Skip to content

VIDEO – Aksidenti që i mori jetën Diago Jotës dhe vëllait të tij, publikohen pamjet nga vendngjarja

Mediat spanjolle kanë publikuar sot pamje të rënda nga vendi ku ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën yllit të Liverpool-it, Diogo Jota, dhe vëllait të tij. Pamjet tregojnë mbetjet e shkrumbuara të supermakinës Lamborghini, pasi ajo doli nga rruga në veri të Spanjës.

Sipas raportimeve paraprake nga autoritetet dhe media lokale, dyshohet se një nga gomat e automjetit luksoz Lamborghini ka shpërthyer në momentin që Diogo Jota po tentonte të parakalonte në autostradën A-52, pranë qytetit të vogël Cernadilla, i cili ndodhet afër Zamorës, në veriperëndim të Spanjës dhe jo larg kufirit me Portugalinë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 00:30 të mëngjesit të së enjtes. Pas shpërthimit të gomës dhe humbjes së kontrollit, makina superluksoze ka dalë nga rruga, është përmbysur dhe menjëherë pas kësaj ka shpërthyer në flakë. Shërbimet e emergjencës kanë mbërritur shpejt në vendin e aksidentit, por fatkeqësisht nuk kanë mundur të shpëtojnë dy vëllezërit që ndodheshin në automjet.

Pamjet tronditëse të publikuara nga mediat spanjolle tregojnë mbetjet e djegura të supermakinës Lamborghini, të përmbysura në anë të rrugës kryesore. Në video shihen gjithashtu ekipet e emergjencës dhe hetuesit e policisë duke punuar për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik. Një video tjetër e siguruar nga mediat përcjell trajektoren e makinës nga momenti kur ajo del nga rruga, përplaset me barrierat anësore dhe shpërthen në flakë. Gjurmët e gomave të makinës së futbollistit tregojnë qartë vendin ku Lamborghini ka humbur kontrollin, ndërsa pjesë të barriere qendrore të autostradës janë të shpërndara në të gjithë zonën e aksidentit, duke dëshmuar për forcën e madhe të impaktit.

Published inLajme