Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim të prerë për qytetarët shqiptarë, duke theksuar se përdorimi i vizës turistike për të udhëtuar drejt SHBA-ve me qëllim lindjen e një fëmije dhe sigurimin e shtetësisë amerikane për të është shkelje e ligjit dhe sjell pasoja serioze.
Përmes një deklarate zyrtare në rrjetet sociale, Ambasada sqaroi se kjo praktikë — e njohur ndryshe edhe si “turizëm për lindje” — është e ndaluar dhe mund të çojë në refuzimin e vizës apo ndalim të hyrjes në SHBA në të ardhmen.
“Përdorimi i vizës turistike për të udhëtuar kryesisht me qëllimin për të lindur në Shtetet e Bashkuara dhe për të siguruar shtetësinë për fëmijën tuaj nuk lejohet dhe mund të çojë në refuzimin e vizës,” thuhet në reagimin e Ambasadës.
Zyrtarët amerikanë kërkojnë që aplikantët shqiptarë të jenë të sinqertë dhe transparentë për qëllimin real të udhëtimit gjatë procesit të aplikimit për vizë.
“Jini të sinqertë për qëllimin e udhëtimit kur aplikoni për vizë,” thekson Ambasada. “Çdo keqinformim apo keqpërdorim i vizës mund të ndikojë negativisht në të drejtën tuaj për të marrë vizë në të ardhmen.”
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur autoritetet amerikane kanë rritur vëmendjen ndaj rasteve të keqpërdorimit të vizave për qëllime të paligjshme, përfshirë përpjekjet për të përfituar nga e drejta e shtetësisë përmes lindjes.
Ambasada thekson se respektimi i rregullave të imigracionit është thelbësor dhe çdo përpjekje për t’i anashkaluar ato mund të ketë pasoja të pakthyeshme për aplikantët dhe familjet e tyre.