Rrugët e Tiranës u përfshinë pasditen e sotme në një ndjekje të denjë për filma aksion, kur forcat speciale “Shqiponja” iu vunë pas një automjeti luksoz “Audi Q8” me dy persona në bord, të dyshuar si të armatosur. Ndjekja rezultoi në tre aksidente të shkaktuara nga i njëjti automjet, përpara se personat në brendësi ta braktisnin atë.
Sipas burimeve të policisë, rreth orës 16:30 në zonën e “Vasil Shantos”, forcat “Shqiponja” i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit “Audi Q8” me dy persona, pasi kishin dyshime të bazuara se ata mund të ishin të armatosur. Shoferi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka rritur shpejtësinë, duke u përplasur me tre automjete të tjera në tentativë për t’iu shmangur ndjekjes.
Automjeti i dyshuar u ndal përfundimisht pranë selisë së Partisë së Lirisë, ku u përplas me një automjet të parkuar. Pas kësaj, shoferi dhe pasagjeri braktisën “Audi Q8”-in dhe tentuan të largoheshin në këmbë. Gjatë ikjes, policia dyshon se të dy personat hodhën në tokë një armë zjarri të tipit pistoletë, e cila u gjet dhe sekuestrua për ekzaminime të mëtejshme.
Pasagjeri i automjetit, i identifikuar si Skerdi Sina, 22 vjeç (në raportimin e mëparshëm u tha 29 vjeç), nuk arriti t’i shpëtojë arrestimit. Ai u kap nga efektivët e policisë dhe u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një krehër me municion.
Policia ka bërë të ditur se edhe drejtuesi i automjetit është identifikuar, por emri i tij nuk është bërë ende publik. I ndaluari, Skerdi Sina, rezulton të ishte shpallur në kërkim nga autoritetet për një incident të ndodhur në zonën e Astirit në Tiranë më 9 janar të këtij viti. Ai ishte një nga pesë të rinjtë që akuzohen se kishin mbajtur të mbyllur në një apartament me qira një 21-vjeçare pas një feste me drogë dhe alkool. E reja kishte njoftuar policinë pasi ishte zgjuar e trembur dhe kishte parë dy armë zjarri në tavolinë, duke u shpëtuar më pas nga forcat RENEA që hynë në apartament nga ballkoni.
Përveç Skerdi Sinës, policia kërkon edhe të dashurin e vajzës së rrëmbyer në Astir, Joni Sadikaj, gjithashtu nga Tepelena, i hetuar më parë për tentativë trafik droge drejt Italisë dhe i arrestuar tre vite më parë për armëmbajtje pa leje. Mësohet se të dy, Sina dhe Sadikaj, janë të afërm të Aleksandër Sadikajt, i cili u vra në autostradën Tiranë-Elbasan në qershor të vitit 2022 nga një shpërthim tritoli në makinën e tij.
Policia e Tiranës ka konfirmuar ngjarjen përmes një njoftimi zyrtar dhe grupi hetimor po punon intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e drejtuesit të automjetit që ende ndodhet në kërkim.