Skip to content

Mbyllet rinumërimi në Fier, Zegjinesë i ndodh e keqja e madhe

Ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Fierit, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur edhe rinumërimin e votave për qarkun e Durrësit. Sipas informacioneve zyrtare nga KQZ, rinumërimi për Fierin u zhvillua në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ku u hapën dhe u rinumëruan në total 586 kuti votimi. Procesi për Fierin përfundoi rreth orës 15:30.

Rezultatet e deritanishme nga rinumërimi në Fier kanë nxjerrë në pah disa gabime në shifra, si në numrin e votave të përgjithshme për partitë politike, ashtu edhe, në mënyrë më të theksuar, për votat e kandidatëve individualë. Në disa raste janë vërejtur devijime të konsiderueshme nga numërimi fillestar.

Në kampin e Partisë Socialiste, rinumërimi solli ndryshime të rëndësishme. Zegjine Çaushi humbi mandatin e deputetit për vetëm 10 vota ndaj rivales së saj brenda partisë, Maldrita Bardho. Gjatë rinumërimit, Zegjine Çaushit iu hoqën 48 vota, ndërsa Maldrita Bardhos iu shtuan 26 vota. Diferenca fillestare pas numërimit të 11 majit ishte 64 vota në favor të Çaushit, por pas rinumërimit Bardho doli fituese.

Partia Demokratike gjithashtu ka pësuar ndryshime në numrin e votave. Asaj i janë zbritur 147 vota që i kishte marrë në numërimin fillestar, ndërsa Partisë Socialiste i janë shtuar 30 vota që ishin hequr gjatë numërimit të parë. Sa i përket koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet i Adriatik Lapajt, rinumërimi nuk i dha asnjë shpresë për të marrë një mandat nga PS, pasi asaj iu zbritën edhe 8 vota që ishin marrë pa meritë.

Edhe partitë e tjera kanë shënuar ndryshime të vogla. Lëvizjes Bashkë i janë zbritur 12 vota, Koalicionit Djathtas për Zhvillim 3 vota, ndërsa Partisë Socialdemokrate (PSD) së Tom Doshit i janë shtuar 8 vota që ishin anuluar më parë.

Lëvizjet më të mëdha të votave janë regjistruar te kandidatët individualë. Te socialistët, Ceno Klosi rezulton me numrin më të lartë të votave të pamerituara, duke humbur 830 vota nga rezultati fillestar. Nga ana tjetër, kandidatit tjetër socialist, Klevis Jahaj, i janë shtuar 498 vota. Edhe në Partinë Demokratike, pavarësisht se katër mandatet e fituara ishin nga lista e mbyllur, janë evidentuar humbje të konsiderueshme votash. Silva Hasaj është kandidatja me më shumë vota të pamerituara, duke humbur 671 vota, e ndjekur nga Gentian Çela me 192 vota të zbritura.

Anëtari i Kolegjit të Apelimit Zgjedhor (KAS), Ledio Braho, ka deklaruar se tabelat ku janë vërejtur lëvizje të rezultateve do t’i përcillen Prokurorisë, duke sinjalizuar mundësinë e manipulimeve te kandidatët. Ndërkohë, pritet që KQZ të njoftojë zyrtarisht rezultatet e rinumërimit për qarkun e Fierit dhe të informojë publikun mbi ecurinë e procesit në qarkun e Durrësit.

Published inLajme