Pas një periudhe tolerance nga autoritetet, policia e Tiranës ka arrestuar më në fund Njulend (Lendi) Palajn, i njohur si figura kryesore pas lokaleve të basteve të paligjshme “333” dhe “CR7”. Palaj u ndalua mbrëmjen e djeshme në heshtje, pas përfshirjes në një konflikt të armatosur që ndodhi më 10 qershor në zonën e Ali Demit.
Fillimisht, policia në njoftimin e saj zyrtar dha vetëm inicialet e gabuara dhe vitin e ngjarjes, por burime të sigurta konfirmojnë se bëhet fjalë për Njulend Palajn, i njohur ndryshe si Lendi. Arrestimi i Palajt erdhi pas një konflikti me shkopa bejsbolli në zonën e “Ali Demit”, ku një 26-vjeçar mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në ajër. Palaj ishte shpallur në kërkim që nga data 10 qershor 2024, bazuar në masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municionit”. Ai u zbulua nga policia pas deklaratave të rreme dhe kontradiktore të 26-vjeçarit të plagosur, i cili ishte përpjekur të fshihte ngjarjen dhe përfshirjen e Palajt.
Ky rast konsiderohet si një provë e rëndësishme për sistemin e drejtësisë përballë një strukture të fuqishme të basteve të paligjshme. Palaj, i cili nuk figuron me kompani të regjistruara në QKB dhe mediatikisht është pothuajse i padukshëm, konsiderohet si “truri” i lokaleve ku lulëzojnë bastet sportive, pavarësisht ndalimit ligjor.
Hetimet zbulojnë se ngritja e tij nisi gjatë fushatës elektorale të vitit 2021, kur Palaj ishte aktiv në mbledhjen e votave në Ali Dem për PSD-në e Tom Doshit. Kjo i mundësoi ndërtimin e lidhjeve të forta me persona kyç të rrjeteve elektorale, të cilat më pas i shfrytëzoi për të organizuar aktivitetin e basteve në mënyrë të strukturuar.
Raportet theksojnë se persona pranë Tom Doshit dhe Çim Babasit e kanë ndihmuar financiarisht dhe i kanë garantuar mbrojtje, duke i hapur rrugën për të ndërtuar një rrjet prej 25 deri në 30 lokalesh në kryeqytet. Këto ambiente funksionojnë në pamje të parë si kafene ose pika lojërash, por në të vërtetë ofrojnë baste të paligjshme me pagesa kesh ose në kriptovaluta, të mbrojtura nga VPN dhe platforma të centralizuara.
SPAK dhe BKH kanë nisur hetime paralele për të gjurmuar pasurinë e Tom Doshit, me synimin për të zbardhur rrjetin e plotë që qëndron pas Palajt. Ky pritet të jetë një nga testet më të rëndësishme për drejtësinë për të goditur një prej skemave më të sofistikuara të basteve të paligjshme në vend.