Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur të shtunën në Chalkwell Park, në qytetin e Southend-on-Sea, Londër, ku një pemë e madhe u rrëzua papritur, duke zënë poshtë pesë vajza të vogla shqiptare nga Kukësi që po luanin në park.
Fatkeqësisht, njëra prej tyre, 7-vjeçarja Leona Ruka, ka humbur jetën në spital si pasojë e plagëve të rënda. Incidenti tragjik ndodhi pak para orës 15:00, kur dëshmitarët thanë se një pjesë e madhe e pemës u shemb befas mbi një grup fëmijësh pranë zonës së trëndafilave.
Qindra qytetarë që ndodheshin në park në atë moment reaguan menjëherë, duke përfshirë edhe lojtarë kriketi që ishin afër fushës, të cilët u përpoqën me duar të ngrenë pemën e rëndë për të shpëtuar fëmijët e bllokuar poshtë saj.
Policia lokale e Essex-it dhe shërbimet e emergjencës konfirmuan se një vajzë tjetër e familjes Ruka, 6-vjeçarja, ndodhet në gjendje kritike dhe po merr trajtim urgjent e të vazhdueshëm në spital, e rrethuar nga familjarët e saj. Tre fëmijë të tjerë pësuan plagë më të lehta dhe kanë marrë ndihmën mjekësore të nevojshme.
Shefi i Policisë së Essex-it, Leighton Hammett, shprehu ngushëllimet e tij duke thënë se familjet po përballen me një dhimbje të paimagjinueshme dhe se mendimet e tyre janë me to në këto momente tragjike. Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e rrëzimit të pemës.
Ngjarja e rëndë ka tronditur thellë komunitetin shqiptar në Britani, i cili është mobilizuar menjëherë për të ofruar mbështetje për familjen Ruka. Është iniciuar një fushatë për mbledhje fondesh në platformën GoFundMe, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të funeralit të Leonës, mbështetjen e familjes në këtë periudhë të vështirë, si dhe shpenzimet spitalore për vajzën tjetër të familjes, e cila ende lufton për jetën. Shumë qytetarë kanë lënë lule, karta dhe lodra të buta pranë vendit të ngjarjes, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e tyre.