Dy të rinj, Braild Aga dhe Ronaldo Spahiu, të dy 27 vjeç, kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës nën akuzën e shpërndarjes së kokainës në disa zona të kryeqytetit. Arrestimi i tyre u bë pas një hetimi tre mujor të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Furnitorët”.
Sipas informacioneve të siguruara nga Vizion Plus, dy të arrestuarit ishin prej tre muajsh në përgjim nga ana e agjentëve të antidrogës, të cilët kishin arritur të dokumentonin aktivitetin e tyre kriminal. Hetimet zbuluan se baza e tyre e operacioneve ndodhej në zonën e Pezës në Tiranë. Mësohet se në këtë zonë ata përpunonin lëndën narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, e ndanin në doza të vogla dhe më pas e shpërndanin në grupe të ndryshme në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë “Tiranë e Re”, “Kombinat”, Selitë, si dhe zona të tjera si ish-Blloku dhe Astiri.
Braild Aga dhe Ronaldo Spahiu u kapën në flagrancë nga forcat e policisë teksa po lëviznin me automjet në aksin rrugor “Ura e Beshirit – Pezë”. Gjatë kontrollit fizik të automjetit dhe më pas në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi në total 1 kilogram e 234 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila dyshohet se ishte e destinuar për t’u shpërndarë në doza të vogla në zonat e përmendura.
Bashkë me sasinë e konsiderueshme të drogës, policia sekuestroi gjithashtu automjetin luksoz tip Benz që përdorej për transportin e lëndës narkotike dhe dy telefona celularë që besohet se përdorheshin për koordinimin e aktivitetit kriminal.
Autoritetet kanë njoftuar se hetimet vijojnë intensivisht me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë penale të të gjithë personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet të shpërndarjes së drogës. Materialet procedurale të këtij operacioni i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.