Skip to content

Vritet me armë zjarri babai i një fëmije, zbardhet identiteti. Detajet

Janë zbuluar detaje të reja dhe është bërë publik identiteti i 26-vjeçarit shqiptar i cili humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri nga një biznesmen italian gjatë një tentative për të grabitur banesën e tij në Foria di Centola. I riu i identifikuar si Rivaldo Rusi ishte pjesë e një grupi prej tre shqiptarësh që tentuan të hynin me forcë në vilën e biznesmenit.

Trupi i pajetë i Rivaldo Rusit, anëtar i bandës shqiptare, u gjet i groposur disa kilometra larg pronës së biznesmenit pas 48 orësh kërkimesh intensive. Ndërkohë, rrethanat e ngjarjes së rëndë mbeten ende të paqarta. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një tjetër hajdut shqiptar mbeti i plagosur rëndë, ndërsa i treti arriti t’i shpëtojë arrestimit dhe ndodhet ende në arrati.

Biznesmeni 60-vjeçar, emri i të cilit është Aurelio Valiante, ka qëlluar disa herë me një pushkë gjuetie duke vrarë në vend Rivaldo Rusin dhe duke plagosur rëndë shokun e tij. Dinamika e saktë e shkëmbimit të zjarrit, kush e qëlloi i pari dhe sekuenca e të shtënave mbeten ende nën hetim nga autoritetet italiane. Gjithashtu, nuk është e qartë nëse biznesmeni ka vepruar vetëm në fshehjen e trupit të 26-vjeçarit. Detaje më të qarta priten të dalin nga autopsia që do të kryhet mbi trupin e Rivaldo Rusit.

Hajduti tjetër i plagosur, i cili ndodhet i shtruar në spitalin Cardarelli në Napoli në gjendje të rëndë, është arrestuar nga policia. Hetuesit kanë zbuluar se ai ka precedentë të mëparshëm kriminalë dhe ishte në arrati për vepra penale të kryera në Toskanë. Sapo gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet, ai do të merret në pyetje për të dhënë versionin e tij të ngjarjes së mbrëmjes së të dielës në vilën e biznesmenit.

Ishte vetë sipërmarrësi, Aurelio Valiante, ai i cili zbuloi vendin ku kishte fshehur trupin e Rivaldo Rusit. Valiante e gjeti veten të rrethuar në shtëpinë e tij nga rreth 50 shqiptarë nga provinca e Casertës, të afërm dhe miq të të riut të vdekur dhe të plagosurit, të cilët kërkonin hakmarrje për incidentin.

Biznesmeni u paraqit në Prokurori i shoqëruar nga avokati i tij, Antonello Natale. Gjatë marrjes në pyetje, ai pranoi se e kishte qëlluar 26-vjeçarin me armë zjarri dhe më pas e kishte fshehur trupin e tij duke e transportuar me një fuçi vere në makinë dhe duke e varrosur disa kilometra larg në një zonë të izoluar në fshatin San Severino di Centola.

Në vendin e treguar nga Valiante, policia gjeti trupin e pajetë të Rivaldo Rusit. Në ato momente në vendngjarje ndodheshin gruaja dhe vjehrra e viktimës, të cilat shprehën dhimbjen e tyre dhe kërkuan drejtësi për humbjen e të riut që la pas një fëmijë trevjeçar. “Ai bëri një gabim,” thanë ato, duke shtuar “Por nuk duhej të kishte vdekur kështu. U varros si kafshë. Na la një fëmijë pa baba.”

Sipërmarrësi Aurelio Valiante aktualisht po hetohet nga autoritetet italiane për akuzat e vrasjes, lëndimeve të rënda trupore dhe fshehjes së një kufome. Megjithatë, situata ligjore mund të ndryshojë më tej sapo të zbardhet plotësisht dinamika e ngjarjes dhe të përcaktohet nëse hajdutët u qëlluan përpara, gjatë një përleshjeje apo ndërsa po tentonin të largoheshin nga prona. Hetimet e autoriteteve italiane vijojnë me intensitet për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj tragjedie.

Published inLajme