Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka njoftuar me hidhërim ndarjen nga jeta të mjekes anesteziste, Doktore e Shkencave Mjekësore, Dr. Nertila Kodra Gora.
Në një njoftim zyrtar, QSUT ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe të afërmit e Dr. Nertila Kodra Gora, duke theksuar se ajo i ka shërbyer me përkushtim spitalit për një periudhë prej 27 vitesh.
Reagimi i plotë i QSUT-së:
“QSUT i shpreh ngushëllimet familjes, miqve dhe të afërmve për ndarjen nga jeta të mjekes anesteziste, Doktore e Shkencave Mjekësore, Dr. Nertila Kodra Gora. Prej 27 vitesh, Dr. Nertila ka shërbyer me përkushtim, ndershmëri dhe humanizëm si mjeke specialiste e Anestezisë dhe Reanimacionit, pranë Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT. Ajo spikati për profesionalizmin, urtësinë dhe dashurinë e pakushtëzuar për pacientët dhe kolegët. Në këtë moment të vështirë, stafi i QSUT-së, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta vajzave të saj, bashkëshortit, prindërve, miqve dhe kolegëve që ndanë me të jetën dhe profesionin. Pusho në paqe, Nertila. Do të të kujtojmë me respekt e mirënjohje të përjetshme.”
Humbja e Dr. Nertila Kodra Gora është një humbje e madhe për stafin e QSUT-së dhe për të gjithë komunitetin e mjekëve në Shqipëri. Kontributi i saj i gjatë dhe i palodhshëm në fushën e anestezisë dhe reanimacionit do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga pacientët dhe kolegët e saj.
