Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë këtë të enjte pretencën për dosjen e njohur si “Metamorfoza”, një çështje që përfshin akuza të rënda ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka, anëtarëve të grupit të krimit të organizuar Behar Bajri dhe Astmer Bilali, si dhe zyrtarëve të Policisë dhe Drejtësisë.
Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), prokuroria ka kërkuar një dënim prej 15 vitesh burgim për Behar Bajrin, i njohur ndryshe si Bajroviç, i cili konsiderohet si një nga krerët e grupit kriminal Bajri në Shkodër. Për biznesmenin Pëllumb Gjoka, SPAK ka kërkuar një dënim prej 14 vitesh heqje lirie. Ish-efektivi i policisë Edmond Preka përballet me një kërkesë dënimi prej 11 vitesh burgim nga prokuroria e posaçme.
Për Astmer Bilalin është kërkuar një dënim prej 10 vitesh burgim, ndërsa për ish-zv.drejtorin e Policisë së Shkodrës Ardit Hasanbegajn dhe ish-shefin e Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit Oltion Bistrin, SPAK ka kërkuar nga 9 vite burgim për secilin. Ish-prokurori Xhevahir Lita është përballur me një kërkesë dënimi prej 6 vitesh burgim. Për të gjithë të pandehurit, pritet të aplikohet gjykimi i shkurtuar, i cili do të ulë me një të tretën dënimet e kërkuara.
Seanca e sotme në GJKKO u karakterizua nga tensione dhe debate. Të pandehurit Edmond Preka dhe Oltian Bistri ishin të pranishëm në sallë. Avokati i Edmond Prekës raportoi se klienti i tij ka kërkuar të mos përfaqësohet prej tij, pa dhënë arsye të qarta. Preka konfirmoi këtë duke thënë se avokati i tij nuk e ka lexuar dosjen dhe se ai nuk i beson jetën e tij në dorë. Kjo situatë shkaktoi debat në lidhje me vazhdimin e gjykimit dhe mundësinë e ndarjes së çështjes për të mos penalizuar të pandehurin me pezullimin e afatit të paraburgimit.
Avokati Gurali Brahimllari, duke përfaqësuar një tjetër të pandehur, kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak të mungesës së një mbrojtësi tjetër të zgjedhur nga i pandehuri për arsye shëndetësore. Avokati Rumano kritikoi atë që ai e perceptoi si përshpejtim të seancës nga gjykata, duke mos lejuar një mbrojtje efektive të të pandehurve dhe duke paralajmëruar për mundësinë e rigjykimit në të ardhmen.
Gjatë leximit të fakteve të nxjerra nga hetimet e SPAK, avokati Brahimllari vuri në dukje se ato ishin identike me dosjen e paraqitur për gjykim.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka u arrestua në korrik të vitit 2023 pas hetimeve të SPAK. Së bashku me të u arrestuan edhe prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales së Policisë së Shtetit Oltion Bistri dhe figura të njohura të botës së krimit në Shkodër. Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë vrasje, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Hetimet për këtë grup nisën pas administrimit nga autoritetet franceze dhe belge të të dhënave të ç’koduara nga aplikacionet e komun