Presidenti amerikan, Donald Trump, mbërriti mbrëmjen e djeshme në Hagë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s, duke konfirmuar edhe një herë qasjen e tij të ashpër ndaj aleatëve europianë. Edhe gjatë fluturimit me Air Force One, ai bëri të qartë pozicionin e tij, duke kërkuar që vendet e NATO-s të rrisin në mënyrë drastike shpenzimet ushtarake nga niveli aktual prej 2% në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Kjo kërkesë e papritur ka tronditur aleancën, e cila prej vitesh po përpiqet të bindë anëtarët të arrijnë edhe pragun minimal prej 2%. Tashmë, administrata Trump synon të imponojë një standard të ri, duke e justifikuar këtë me rrezikun real që, sipas tij, paraqet presidenti rus, Vladimir Putin, për sigurinë e Evropës.
Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u shpreh optimist se aleatët do të votojnë për rritjen e buxhetit të mbrojtjes në 5%, duke theksuar se një kërkesë e tillë nuk do të kishte mundësi të realizohej pa praninë e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Kjo nuk do të kishte ndodhur nëse nuk do të ishit zgjedhur në vitin 2016 dhe rizgjedhur vitin e kaluar dhe përsëri në detyrë në janar”, u shpreh Rutte gjatë një takimi me mediat së bashku me presidentin amerikan.
Propozimi i Trump në fakt përfshin një ndarje të shpenzimeve: 3.5% e PBB-së do të shkojë për investime ushtarake të drejtpërdrejta (si aviacion, raketa, logjistikë, forca manovruese), ndërsa 1.5% e mbetur do të alokohet për mbështetje jo-luftarake, si siguria kibernetike dhe infrastruktura. Ky koncept e ka origjinën në samitin e NATO-s në Vilnius në vitin 2023 dhe është përshpejtuar nga agresioni rus në Ukrainë.
Sipas analizave të ndryshme, ky plan do të kërkojë shuma të mëdha financiare, që tejkalojnë ato që Bashkimi Evropian ka llogaritur si të rikuperueshme nga shpenzimet aktuale të mbrojtjes. Ndërsa gjeneralët e NATO-s kanë punuar prej vitesh për këtë zgjerim të kapaciteteve, presioni i drejtpërdrejtë nga Trump ka qenë i paprecedentë.
Tensionet u rritën më tej kur Trump nuk e konfirmoi qartë nëse Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë një aleat të sulmuar, në bazë të Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, i cili konsiderohet si shtylla kurrizore e aleancës. I pyetur në lidhje me këtë, Trump u përgjigj: “Ekzistojnë përkufizime të ndryshme të Nenit 5, apo jo? Sidoqoftë, unë jam miku i tyre”, duke lënë të hapur dyshime për angazhimin e plotë të Amerikës në rast të një konflikti të mundshëm.
Mbrëmjen e djeshme, presidenti amerikan mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Máxima, së bashku me liderët e tjerë të vendeve anëtare të NATO-s. Pritet që dita e sotme të jetë intensive, me Trump që ka paralajmëruar se do të shqyrtojë personalisht deklaratën përfundimtare të samitit, veçanërisht në lidhje me referencat ndaj luftës në Ukrainë.
“Siç e dini, do të doja të arrija një marrëveshje me Rusinë”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se qasja e tij diplomatike mund të ndryshojë ndjeshëm nga ajo e ndjekur nga NATO në vitet e fundit. Kjo deklaratë mund të krijojë mosmarrëveshje të mëtejshme brenda aleancës, e cila ka mbështetur fuqishëm Ukrainën kundër agresionit rus.