Skip to content

U godit nga makina në oborrin e shtëpisë, humb jetën fëmija

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Ferizaj, ku një fëmijë rreth katër vjeçar ka humbur jetën tragjikisht.

Sipas zyrtarit policor për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, incidenti ka ndodhur në fshatin Dardani, ku fëmija është goditur nga një veturë në oborrin e shtëpisë. Ajo që e bën edhe më të dhimbshme këtë ngjarje është fakti se ngasësi i automjetit ka lidhje familjare me viktimën.

“Me datën 22.06.2025 rreth orës 18:45, nga stacioni policor në Viti jemi njoftuar se në ambulancën e fshatit Pozheran është dërguar një fëmijë rreth moshës 4-vjeç, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar. Dyshohet se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani, në oborrin e shtëpisë, ndërsa ngasësi – ka lidhje familjare me viktimën”, ka deklaruar zyrtari policor Veseli.

Policia ka shoqëruar të dyshuarin në stacionin policor në Ferizaj për intervistim të mëtejshëm. Njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme dhe për të mbledhur prova që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.

Prokurori i shtetit është njoftuar menjëherë për të gjitha veprimet policore dhe ka urdhëruar inicimin e rastit me akuzën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Drejtuesi i veturës është ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë për të përcaktuar përgjegjësinë e tij në këtë aksident fatal. Kjo ngjarje e rëndë ka shkaktuar dhimbje dhe tronditje në komunitetin e Ferizajt.

Published inLajme