Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Kalamatës në Greqi, ku një 61-vjeçar dyshohet se ka vrarë prindërit e tij të moshuar. Sipas raportimeve të mediave vendase, krimi makabër ka ndodhur sot pak para orës 18:00 në zonën e Messinias.
Viktimat janë babai 96-vjeçar dhe nëna 93-vjeçare. Hetimet paraprake sugjerojnë se të moshuarit janë vrarë brenda banesës së tyre me anë të një gërshëreje gjatë kësaj të diele.
Mësohet se autori i dyshuar vuan nga probleme të shëndetit mendor. Detajet e sakta të ngjarjes dhe motivet e krimit mbeten ende të paqarta dhe po hetohen nga autoritetet.
Ngjarja e rëndë u zbulua pasi fqinjët dëgjuan britma që vinin nga banesa e çiftit të moshuarve dhe menjëherë njoftuan policinë. Me të mbërritur në vendngjarje, forcat e policisë gjetën dy të moshuarit pa jetë, të shtrirë përtokë dhe të mbuluar në gjak. Djali i tyre, 61-vjeçari, u arrestua menjëherë në vendin e ngjarjes.
Policia greke ka nisur një hetim të thelluar për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie dhe për të përcaktuar me saktësi motivet që çuan në vrasjen e dy të moshuarve. Ky incident i rëndë ka shokuar komunitetin lokal në Kalamata dhe ka ngjallur pikëllim të thellë.