Eni Kokomani, një teolog shqiptar që jeton në Iran, ka zbuluar në një intervistë për Euronews Albania se Irani kishte marrë informacione paraprake përpara se Shtetet e Bashkuara të ndërmerrnin sulmin ndaj tre bazave bërthamore të tij. Sipas Kokomanit, autoritetet iraniane kishin evakuuar dhe transportuar uraniumin në një vend të sigurt përpara se të ndodhte sulmi.
Ai ka komentuar gjithashtu kërcënimin e lëshuar nga lideri suprem i Iranit për pasoja të përjetshme pas sulmit amerikan, duke e lidhur atë ndoshta me vendimin e mundshëm për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit. Kokomani paralajmëroi se një veprim i tillë mund të shkaktonte një kolaps të madh ekonomik në Evropë dhe madje të rrezikonte shpërthimin e një lufte të tretë botërore.
“Në Iran thuhet që para se të sulmonin amerikanët dhe izraelitët çdo gjë është larguar, uraniumi i pasuruar është larguar në vend të sigurt. Banorët pranë bazës Fordow thonë që nuk kanë dëgjuar asnjë lloj zhurmë ndaj nuk është e sigurt si ka ndodhur kjo ngjarje. Është e sigurt që SHBA ka shkelur territorin e Iranit dhe ka sulmuar, por a e ka bërë këtë për t’i mbyllur gojën Izraeli që ne ndërhymë, ndoshta bëhet për arsye që të mbyllet lufta dhe të çelet një dritare për paqen. Irani e cilëson shkelje të sovranitetit dhe kërcënon se lufta do përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme duke goditur bazat amerikane. Kërcënimi i liderit të Iranit për pasoja të përjetshme… ndoshta nëse mbyllet Ngushtica e Hormuzit do të ketë një ndikim të madh në Evropë, do rritet çmimi i naftës, do ketë trazira të mëdha në lindjen e mesme, kolaps total dhe mundësi për një luftë të tretë botërore”, ka deklaruar Kokomani.
Komentet e teologut shqiptar hedhin dritë mbi narrativën iraniane rreth sulmit amerikan, duke sugjeruar se dëmi i shkaktuar mund të jetë minimizuar nga autoritetet iraniane falë informacionit paraprak. Nga ana tjetër, paralajmërimet për pasojat e mundshme të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit tregojnë për një përshkallëzim të mundshëm të krizës në Lindjen e Mesme me implikime të rënda globale.