Një përpjekje e fshehtë për të organizuar një takim historik mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë në Stamboll ka dështuar në minutën e fundit, pasi lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, nuk ishte në gjendje të jepte miratimin përfundimtar.
Sipas burimeve të Axios, ideja për takimin erdhi nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili gjatë një bisede telefonike me Donald Trump-in në Kanada, ku ndodhej për samitin e G7-ës, i ofroi që Turqia të ndërmjetësonte bisedimet.
Trump pranoi menjëherë, duke shprehur gatishmërinë për të dërguar Zëvendëspresidentin Vance dhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff në Stamboll.
Madje, edhe vetë presidenti amerikan ishte i gatshëm të shkonte personalisht për të takuar presidentin iranian Masoud Peskov, nëse kjo do të sillte një marrëveshje.
Përpara bisedës me Erdoganin, Shtëpia e Bardhë kishte marrë sinjale paraprake nga Teherani, përmes kanaleve të fshehta, se ekzistonte vullnet për bisedime.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ia përcolli propozimin autoriteteve iraniane, ndërsa Peskov dhe Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi nisën përpjekjet për të siguruar dritën jeshile nga Khamenei.
Por, sipas burimeve, frika e Khameneit për jetën e tij — pas valës së sulmeve të Izraelit që ka goditur lidershipin politik dhe ushtarak të Teheranit — e ka detyruar atë të fshihet në një bunker, duke e bërë të pamundur kontaktin me të.
Pas disa orësh përpjekjesh të pasuksesshme për të marrë miratimin e liderit suprem, pala iraniane njoftoi turqit se nuk mund të vazhdonin me takimin.
Lajmi u përcoll më pas edhe në Uashington, ku u konfirmua anulimi i bisedimeve. Ky zhvillim vjen mes tensioneve të larta në Lindjen e Mesme dhe spekulimeve për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.