Sipas ish-Presidentit, është pikërisht firma e Braimllarit mbi kontratat lobuese të LSI-së në SHBA, ajo që përbën një nga elementët kyç të hetimeve të SPAK-ut, ndërsa ai vetë – në atë kohë jashtë funksionit partiak – po përballet me pasojat juridike.
“Kur unë isha President i Republikës, Braimllari ishte nënkryetar i LSI-së dhe firmoste kontratat e lobimit. Për ato firma jam sot në izolim ekstrem, ndërsa ai shpërblehet me poste të reja nën ombrellën e rilindjes dhe emërohet nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ironi e ndyrë dhe e turpshme,” shton Meta.
Por sulmet e tij nuk ndalën vetëm te Braimllari. Meta i drejtoi gishtin edhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e dokumentacionit zyrtar të firmosur prej tij. Me tone të qarta sfiduese, ai pyet publikisht:
“A është Altin Dumani ai që gënjen në shkresat zyrtare të firmosura prej tij? Apo e vërteta është e njohur, por e mbuluar me regji politike dhe marrëveshje të heshtura për konvertime të rehatshme?”
Përplasja mes dy ish-bashkëpunëtorëve të afërt vjen në një moment të tensionuar politik për Partinë e Lirisë, ndërkohë që hetimet e SPAK mbi financimet ndërkombëtare të kësaj force politike janë intensifikuar dhe ndëshkimet për përfshirjet e supozuara janë bërë të prekshme. Vetë Ilir Meta është subjekt i një mase “detyrim paraqitje”, ndërsa një pjesë e bashkëpunëtorëve të dikurshëm po lëvizin qartazi drejt mazhorancës në pushtet.
Endrit Braimllari, i cili për vite me radhë ka qenë një nga figurat kryesore të LSI-së dhe krahu i djathtë i Metës, është rreshtuar së fundmi me Partinë Socialiste në nivele vendimmarrëse të qeverisjes vendore. Për Metën, ky kalim nuk është rastësi, por pjesë e një skenari më të gjerë të orkestruar nga SPAK dhe rilindja, me qëllim të asgjësimit të opozitës reale.
Kjo përplasje publike dhe e personalizuar shënon një tjetër episod në sagën e gjatë të ndarjeve, përçarjeve dhe aleancave të paqarta në politikën shqiptare. Nga bashkëpunëtorë të ngushtë në të njëjtën parti, Meta dhe Braimllari kanë kaluar tashmë në anë të kundërta të barrikadës, me akuza të ndërsjella, ndërsa prapaskenat e dosjes së lobimeve në SHBA, përfshirja e SPAK-ut dhe qëndrimet e drejtësisë do të përcaktojnë edhe të ardhmen e kësaj lufte politike.
Një gjë është e sigurt: Ilir Meta nuk ka ndërmend të heshtë. Dhe Endrit Braimllari, i vendosur tashmë në krahun e pushtetit, nuk do të mbetet pa përgjigje në këtë duel që sapo ka nisur publikisht, por që për shumëkënd kishte kohë që kishte filluar në prapaskenë.