Dhe kur më në fund mendoi se një derë po hapej – ajo e spektaklit më të madh të humorit në vend, “Portokalli” – një tjetër zhgënjim e priste në prapaskenë.
“Fitova audicionin për ‘Portokalli’ dhe kisha përgatitur një skeç që e bëja duke hyrë nga publiku, sepse ende nuk ishin të sigurt nëse duhej të më përfshinin ose jo.
Ishte një material ku interpretoja një gjimnazist që fliste për zyshën e vet, e cila kishte një gjoks shumë të madh. Publiku shpërtheu në të qeshura. Ishte një sukses i menjëhershëm në sallë”, rrëfen Visjani.
Por entuziazmi u shua shpejt. Skeçi i tij nuk u transmetua kurrë. Sipas tij, shkaku nuk ishte përmbajtja e batutave, pasi në atë kohë emisioni njihej për një humor të guximshëm dhe të ngarkuar me aluzione eksplicite.
“Batutën time më vonë e ka thënë edhe Agroni në një tjetër puntatë. Nuk ishte problemi te batuta. Ishte fakti që ajo ishte e imja. Dhe kjo më dhembi më shumë”, u shpreh aktori, duke lënë të nënkuptohet se ndoshta pengesat nuk vinin vetëm nga përmbajtja, por edhe nga dinamikat e brendshme të emisionit.
Ai kujton momentin pas performancës, kur u përball me regjinë dhe aktorët kryesorë: “Kur mbaroi numri, publiku duartrokiti me entuziazëm. Erdhi Goni me Amin, u prezantova dhe u thashë se s’kisha fituar konkursin në Akademi.
Reagimi i tyre ishte i menjëhershëm: ‘Kush janë këta budallenj që s’të kanë dhënë shkollën?’”, tregon Visjani. Ironikisht, një nga batutat e tij, që nuk u lejua të transmetohej, do të ripërdorej më vonë nga dikush tjetër – një detaj që për të mbetet ende një plagë e hapur.
Në fund të rrëfimit të tij, Visjani nuk kërkon keqardhje. Ai e ndan këtë histori jo si një ankesë, por si një dëshmi force dhe qëndrueshmërie: “Nuk ishin refuzimet që më ndalën. Ishte besimi se nëse nuk më jepnin hapësirë, do ta krijoja vetë.”
Sot, aktori është një ndër figurat më të dashura në skenën shqiptare, një shembull për këdo që ka nisur rrugëtimin mes dyerve që mbyllen dhe shpresës që nuk shuhet.